Deklarata e KSHM-së në lidhje me rastin e fundit të abuzimit seksual të minorenes 15 vjeçare

Këshilli Shqiptar i Medias shpreh shqetësimin e  tij në lidhje me rastin e fundit të abuzimit seksual të së miturës 15- vjeçare dhe me mënyrën e raportimit të tij.

Në raste të tilla tepër delikate, ne i bëjmë thirrje medias të tregohet e kujdesshme në raportimin e ngjarjes, sidomos ku viktima është një minoren/e. Media luan një rol vendimtar negativ në të ardhmen e fëmijës, nëse tregohet e pakujdesshme dhe nuk mbron privatësinë e tij.

Duke parë shkeljet etike në raportim, KSHM ka vendosur të botojë një udhëzues etik për t’u patur në vëmendje nga gazetarët në raste të tjera.

  • Media NUK duhet të publikojë në asnjë rast, emrin e shkollës të cilën fëmija frekuenton, emrin e lagjes/zonës apo fshatit ku fëmija banon. Në rast publikimi të tyre, fëmija është më lehtësisht i identifikueshëm dhe kjo bie në kundërshtim të plotë me mbrojtjen e privatësisë së tij. Përveç kësaj, publikimi i emrit të shkollës rrit presionin negativ edhe mbi minorenët e tjerë që frekuentojnë të njëjtën shkollë.

 

  • Media nuk duhet të identifikojë në asnjë rast prindërit e fëmijës së abuzuar. Publikimi i emrit dhe pamjeve të prindërve/familjarëve shkel gjithashtu anonimatin e fëmijës dhe të drejtën e tij të privatësisë. Edhe në rastet kur prindërit apo familjarët pranojnë me vullnetin e tyre të dalin në një deklaratë apo intervistë për median (shpeshherë jo të ndërgjegjshëm për pasojat që do të ketë ky ekspozim për minorenin/en në të ardhmen), media duhet të mbrojë interesin me të lartë të fëmijës së abuzuar dhe këto intervista/deklarata t’i përcjellë duke mbuluar pamjet ose fshehur identitetin e familjarëve.

 

  • Në raste të tilla vëmendja e gazetarëve dhe interesi i publikut duhet drejtuar drejt fenomenit, dhe jo ndaj detajeve perverse të ngjarjes.

 

Këshilli Shqiptar i Medias shpreson që këto udhëzime do të jenë të vlefshme për mediat dhe për një raportim sa më profesional, në raste ku minorenët janë pre e abuzimit.