NOTË PROTESTE ndaj dhunës policore ndaj gazetarit Alfred Lela

(e përditësuar më 18 maj)

Këshilli Shqiptar i Medias proteston me forcë për ndalimin e paligjshëm dhe dhunën shproporcionale ndaj gazetarit Alfred Lela nga forcat policore në Bulevardin Dëshmorët e Kombit  në datën 17 maj.

I gjendur në vendngjarje si gazetar, ndërsa ndiqte zhvillimet e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. në orën 8:00 AM z. Alfred Lela u tërhoq me dhunë, u prangos si terrorist, u godit dhe u fye nga një grup policësh, një prej të cilëve civil ndërsa disa prej të cilëve ishin pa numra identifikues. Ngjarja ndodhi kur në mënyrë paqësore z. Lela u përpoq të ndërmjetësonte për mos-dhunimin e një zonje nga një grup prej 3 policesh.

Siç u pa nga pamjet filmike, z. Lela në asnjë moment nuk ka treguar asnjë shenjë agresiviteti, dhune apo agresioni të çfarëdo forme ndja formcave të policisë.

Në fjalët e vetë z. Lela:

Nga biçikleta e braktisur deri në Komisariat kam ngrënë një batare shkelmash dhe goditjesh në kokë, shoqëruar me të shara. (…) Prangat nuk kishin harruar të m’i shtrëngonin mirë. Fillova të ankohesha madje, ashtu i shtrirë siç isha, me fytyrë në asfalt, me një gju në qafë dhe një dorë që më godiste kokën. (…) Për disa minuta më mbajtën aty (te zona e shembjes së Teatrit) sepse nuk po gjenin makinë për të më shoqëruar. Më goditën edhe njëherë kur disa punëtorë jelekëverdhë të Bashkisë më shanë mbarë e mbrapsht. (…) Radio e njërit prej tyre mori shenjë se ‘makina ime e burgut’ ishte gati. (…) Para se të niseshin, dy policë të tjerë, të udhëzuar në radio, për të luajtur deri në fund rolin e padijenisë se po prangosnin një gazetar, u afruan duke më pyetur për emrin. (…) Polici kokërruar kërkoi të më lironte prangat duke parë bymimin e kyçeve. U mundua, por çelësi nuk i hapte. Kur iu afruam Komisariatit erdhi një urdhër në radio. ‘Mos e lejo të përdorë celularin!’”

Ndalimi, goditja, fyerjet, prangosja dhe shoqërimi i përdhunshëm i z. Lela, gazetar, Drejtor i Politiko.al, anëtar i bordit të Këshillit Shqiptar të Medias dhe njëkohësisht një figurë e njohur televizive, është një tjetër shembull i qasjes agresive dhe dhunës shproporcionale të Policisë së Shtetit ndaj  gazetarëve, pjesë e frymës që vetë Qeveria ka adoptuar ndaj gazetarëve e lirisë së shprehjes.

Policia Shtetit do duhet të kërkojë ndjesë publike për këtë rast dhe në të ardhmen të edukojë trupat e veta që media ka të drejtën kushtetuese të jetë në vend ngjarje për të informuar publikun dhe arrestimi, ndalimi e shoqërimi i gazetarëve që po bëjnë punën e tyre është antikushtetues dhe dhunë e drejtpërdrejtë mbi lirinë e shprehjes.