Deklaratë kundër gjuhës diskriminuese të Kryeministrit ndaj Romëve

Këshilli Shqipar i Medias së bashku me 12 organizata ka nënshkruar denoncimin kundër gjuhës disktiminuese të Kryeministrit Rama ndaj Romëve.

Në postimin në faqen e tij në Twitter, Kryeministri cilëson Romët me etiketimin “si mish për top” duke përulur dinjitetin dhe të drejtën e tyre  për të kërkuar respektimin e nevojave të tyre nga institucuinet qeveritare.

Nëpërmjet kësaj deklarate i bëhet thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, të ndalojë përdorimin e gjuhës denigruese dhe diskriminuese ndaj Romëve dhe të kërkojë falje publike.

Deklaratë

Denoncojmë gjuhën diskriminuese të Kryeministrit Rama ndaj Romëve, e ftojmë të kërkojë falje publike dhe të rishikojë politikat qe prekin ketë komunitet dhe qytetarë të tjerë në kushte të ngjashme.

Me datë 14 prill, në rrjetet sociale u publikuan video të komuniteti Rom dhe Egjiptian në Fier të mbledhur së bashku, për tu ankuar për mungesën e ndihmave nga Bashkia dhe për shpërndarjen e padrejtë të tyre. Këto video u shpërndanë në rrjetin social facebook edhe nga përfaqësues të partive politike duke nxitur reagimin e paprecedentë të kryeministrit në Twitter: ‘’E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke përdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë #Çnjerëzore’’.

Romët u etiketuan si të përdorur si mish për top për inskenime, ndërkohë që ata ishin mbledhur për të shprehur nevojën e tyre.

Së pari, në këtë deklaratë Kryeministri bie në kundërshtim me vetë politikat e qeverisë shqiptare, e cila ka një Plan Kombëtar Veprimi për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Nëpërmjet këtij plani, duke pranuar vulnerabilitetin dhe nevojën për të adresuar diskriminimin e këtyre minoriteteve, qeveria është angazhuar për të përmirësuar situatën e tyre. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e Romëve dhe Egjiptianëve që punojnë në sektorin informal të ekonomisë, u përjashtuan më herët nga qeveria duke u lënë jashtë listës së subjekteve përfituese të pages së luftës gjatë periudhës së pandemisë, pavarësisht rekomandimit të Komisionerit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi të datës 31 mars. Me datë 14 prill Bashkia Tiranë dhe IKMT në zonën e Selitës filluan prishjen e tregut informal të rrobave të përdorura,  aktivitetin kryesor që sjell të ardhura për familjet e komunitetit Rom dhe Egjiptian në atë zonë. Në të njëjtën ditë, Romët etiketohen nga vetë kryeministri si të përdorur për inskenime politike, ndërkohë që kërkojnë ndihmë.

Së dyti, gjuha e përdorur nga kryeministri, në faqen e tij është e papranueshme. Shprehja ‘’mish për top’’ në gjuhën shqipe është përulëse dhe me kuptim derogativ. Ajo përforcon stereotipet diskriminuese ndaj Romëve si njerëz që mund të përdoren lehtësisht nga të tjerët. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminime dhe në raste të tjera të ngjashme ku Romët dhe Egjiptianët janë etiketuar si ‘’lehtësisht të përdorshëm’’. Duhet theksuar që faqja e Kryeministrit të Shqipërisë ndiqet nga mijëra qytetarë dhe shumë media raportuan mbi ngjarjen duke zgjedhur të kishin në titull pikërisht shprehjen denigruese ‘’mish për top’’, është përforcuar kështu impaktin e diskriminimit në opinionin publik.

Së fundmi, Kryeministri ka nënvlerësuar publikisht aftësinë e Romëve për tu vetë-organizuar e për të kërkuar të drejtat e tyre, të cilën ata e kanë bërë më së miri prej vitesh. Kryeministri nuk duhet ta minojë dhe delegjitimojë organizimin e komunitet e vetëmarxhinalizuara me konceptin e ‘’nxitjeve dhe inskenimeve politike’’, por tu përgjigjet nevojave të tyre.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, të ndalojë përdorimin e gjuhës denigruese dhe diskriminuese ndaj Romëve dhe të kërkojë falje publike.

I bëjmë gjithashtu thirrje qeverisë shqiptare të pranojë dhe tu përgjigjet nevojave të komuniteteve të marxhinalizuara pasi për ta pandemia është një krizë mbi krizat.

 

Organizatat nëshkruese:

  1. Qendra Treja
  2. Qendra Për Aksion Komunitar
  3. Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome
  4. Civil Rights Defenders
  5. Citizens Channel
  6. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
  7. Këshilli Shqiptari Medias
  8. Pro LGBT
  9. Qendra Europiane
  10. Qendra ALTRI
  11. Aleanca LGBT
  12. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
  13. Qendra Për Nisma Ligjore Qytetare (QNL)