KSHM mysafir në redaksinë e gazetës Panorama
Këshilli Shqiptar i Medias vizitoi të premten redaksinë e gazetës Panorama. Panorama, një nga gazetat më të vjetra që vazhdon të dalë akoma në print, ka edhe një publikim të vazhdueshëm online. Një nga temat që u diskutua në takim ishte ngritja e Aleancës për Gazetarinë Etike (AGE).
Gazetarët e gazetës kërkuan të dinin kush janë mediat që do përfshihen në këtë inisiativë dhe a do munden ato media të mbajnë standartet etike.
Një pjesë tjetër e bisedës u fokusua te debati mbi etikën në redaksi. Z. Mark Marku, një nga ekspertët e etikës që shoqëron takimet nëpër redaksi solli përvojën e vet nga ngritja e debateve etike në gazetë, dhe sesi ai debat kishte përmirësuar rrënjësisht punën e gazetarëve. Gazetarët e Panoramës zhvillojnë debate të përditshme me kreyredaktorin për çështje etike të përditshme, dhe një nga këto është në raport me kronikën. A duhet publikuar gjithçka apo duhet filutrar informacioni jo etik, i cili mund të sjellë klikime por dobëson cilësinë e raportimit.
Një nga temat që u diskutua ishte edhe rasti i “Zogut të Tiranës”, dhe nëse raportimi i detajeve të jetës së tij seksuale ishte etik apo jo. Konsensusi i përgjithshëm ishte që pjesa e raportimit që i takonte prostitucionit kishte rëndësi për publikun, por mediat që nisën të publikonin emra, foto dhe detaje të jetës së tij private dukshëm kanë shkeluar etikën. Po aq e paligjshme ka qenë edhe rrjedhja e këtij informacioni nga organet hetuese.