Z.Luigi Soreca pozicionohet hapur kundër paketës së re anti-shpifje

Edhe pse me dorashka, duket se BE ka qenë e detyruar të shprehë hapur kundërshtimin e saj ndaj draftit të dytë të paketës së ashtuquajtur anti-shpifje, draft i punuar nga Qeveria Shqiptare për disa muaj pa asnjë lloj konsulte me palët e interesuara dhe grupet e interesit.
Siç raporton BIRN, Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, foli gjatë ceremonisë për shpërndarjen e Çmimeve të Bashkimit Europian për Gazetari Investigative. Zhvilluar në Shtëpinë e Europës në Tiranë, ku theksoi se AMA nuk mundet të kryejë rol mbikëqyrës për mediat online dhe se politika e vetme e BE-së është vetërregullimi i medias si mënyrë për të luftuar dizinformimin apo lajmet e rreme.
“Kur bëhet fjalë për të luftuar dizinformimin, ndonëse ne kemi njësoj si autoritetet shqiptare shqetësime për sa i përket dizinformimit, komisioni rekomandon përqasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një përqasje vetërregulluese. Kjo është përqasja që Komisioni Europian propozon në [dokumentin] Komunikimi në Trajtimin e Dizinformimit Online,” tha Soreca.
“Komisioni Europian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare në lidhje me mungesën e qartësisë ligjore dhe zgjerimin e funksioneve dhe kompetencave të Autoritetit të Medias Audiovizive për të përfshirë rregullimin e medias online – për shkak se kjo mund të sjellë efekte negative në lirinë e shprehjes,” tha Soreca.
Në lidhje me projektligjet e propozuara nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, Soreca tha se ndonëse disa shqetësime duket sikur janë trajtuar, draft-amendamentet nuk sigurojnë përputhje me standardet e BE-së për Lirinë e Shprehjes.
Pas dështimit me draftin e parë të së ashtuquajtur paketë anti-shpifje, Kryeministri Rama ka ngulmuar të paraqesë një draft të dytë, i cili po ashtu ka ngjallur shumë shqetësim në qarqet diplomatike. Ky draft po ashtu vret vetërregullimin dhe eleminon gjykatat duke ia lënë etikën në dorë AMA-s. Paketa është kritikuar si një sulm kundër demokracisë në Shqipëri nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe nga organizatat shqiptare të medias e të drejtave të njeriut.
Projektligjet janë dërguar në Parlament dhe janë në procedurë shqyrtimi.