Alice Taylor kundër Shqiptarja.com

Bordi i Etikës u mblodh në dt 20 mars 2019 për të diskutuar ankesën e Alice Taylor ndaj Shqiptarja.com.

Ankimuesja ankohet që informacionet e dhëna nuk janë korrekte, i bazuar mbi spekulime.
Bordi analizoi shkrimin e gazetës dhe ankesën dhe arriti në konkluzionin se në artikullin e reklamuar nga ankimuesja, janë shkelur një sërë nenesh të Kodit të Etikës:

1 – Saktësia dhe Ndershmëria e Informacionit

1/A Saktësia. Ky nen është shkelur sepse informacioni nuk është i verifikuar dhe është çorientues.

1/B Paanshmëria e informacionit. Informacioni është dukshëm i njëanshëm. Ka dhe fyerje personale, (“gazetare e dobët” “agresiv”).

2 – Dallimi i Faktit nga Opinioni

Akuzat ndaj gazetares Taylor janë ndërtuar mbi opinione të veshura si fakte.
Frazat “punon për shtypin rus nga Shqipëria”, “e punësuar pranë PD”, “Drejtuar nga Këshilltari politik i L. Bashës…” janë opinione, nuk janë fakte.

Fraza: “Krijon një sfond të dyshimtë për shërbimet e sigurisë” dhe fraza “leja nuk është e rinovuar… burime konfidenciale shprehen që nuk ia kanë rinovuar”, përbën opinion dhe jo fakt.

9 – Ndërhyrja në jetën private

Shkrimi ka dhe fyerje personale, (“gazetare e dobët”).

11 – Nxitja e Krimit dhe Dhunës

Duke e trajtuar si agjente ruse, shoqëruar me foton e saj, gazetarja rrezikon të bëhet target dhune.

REKOMANDIMI

Rekomandojmë që portalet që kanë publikuar këto lajme t’i heqin nga qarkullimi dhe t’i nxjerrin offline.

Anëtarët e Bordit të pranishëm në mbledhje: Agim Baçi,
Mark Marku (zv/Kryetar), Enio Haxhimihali.