Tag Archive for: syri.net

Krijohet “Aleanca për Media Etike”

19 media shqiptare u angazhuan sot për të ndërtuar një mekanizëm vetërregullues, përmes një bashkëpunimi të quajtur “Aleanca për Media Etike”.

Aleanca për Media Etike është fillimi i një procesi për të ngritur dhe respektuar standartet e etikës në media, ajo është e hapur dhe dhe pritet që në të të anëtarësohen dhe media të tjera.

 Të pranishëm në themelimin e Aleancës për Media Etike ishin dhe Ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca, Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Znj. Guusje Korthals Altes, Adeline Hulin nga UNESCO, Olsi Dekovi nga Zyra e Këshillit të Europës të cilën në fjalën e tyre, shprehën mbështetje të hapur për këtë inisiativë.

Sipas Ambasadorit Soreca, “…inisiativa e sotme vjen në kohën e duhur, ndërsa Parlamenti po pret opinionin e Komisionit të Venecias përpara votimit të të ashtuquajturit ‘paketa antishpifje’. […] ne kemi shprehur shqetësimet tona për inisiativën aktuale të Qeverisë për amendimin e ligjit për shërbimet mediatike. BE-ja ka kërkuar që kjo inisiativë të adresojë rekomandimet e Këshillit të Europës dhe, në përgjithësi, të jetë plotësisht në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Kjo, ka akoma nevojë për t’u realizuar.”

Në Aleancën për Media Etike, ABC News, Citizens-Channel.com, Gazetadita.al, Droni.al, Dosja.al, Exit.al, Faktoje.com, Javanews.al, Gazeta-Shqip.com, Lapsi.al, Liberale.al, Mapo.al, Opinion.al, Ora News, ORA TV, Politiko.al, Shqiptarja.com, Syri.net dhe Report TV, kanë rënë dakort së bashku që të respektojnë Kodin e Etikës së Gazetarit dhe të drejtën e autorit.

Brenda muajit shkurt Aleanca do të zgjedhë një Bord të Etikës, me integritet e profesional, ku qytetarët mund të ankohen nëse kanë probleme me etikën. Në faqet e mediave të Aleancës do të mund të vendoset një “buton” me logon e Aleancës i cili verifikon që këto media janë profesionalisht të përkushtuara për etikën dhe përmes të cilit qytetarët mund të ankohen për shkeljet e etikës dhe të kërkojnë zgjidhje.

19 mediat e Aleancës janë të hapura për ankesat dhe janë përkushtuar për të respektuar vendimet e këtij bordi.

Përfaqësuesit që ishin mbedhur në sallë ngritën shqetësimin e ligjit të AMA’s, dhe mundësinë që nëse ai kalon të dublojë punën e Bordit të Etikës. Ky ligj u konsiderua si një pengesë konkrete për realizimin e vetërregullimit të medias sipas standarteve europiane, madje u shpreh dhe shqetësimi që qeveria shqiptare mund të injorojë dh erekomandimet e Komisionit të Venecias.logot e mediave anëtare të Aleancës për Media Etike

Gazetarët kërkuan që Aleanca të mos mjaftohet vetëm me ruajtjen e standarteve etike, por dhe të krijojë një bashkësi mediash që të dalin së bashku në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të të drejtave të gazetarëve.

Në mbledhjen e parë të Aleancës u përcaktua 1 Marsi si data kur sistemi i ankesave të bëhet operativ dhe të publikohet në faqet e anëtarëve të Aleancës.

KShM bisedë për etikën tek Syri.net

z. Mark Marku dhe Z. Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e Syri.net

Këshilli Shqiptar i Medias ka nisur një turne miqësor nëpër disa redaksi mediash të reja për të biseduar me gazetarët për etikën në media. Ky tur vjen pas gjetjeve shqetësuese të monitorimit të vitit të kaluar ku në 40 media mesatarja e shkeljeve të etikës ishte 9 (shkelje) në ditë.

Takimi i radhës u bë në redaksinë e Syri.net dhe në takim ishin 2 ekspertë të etikës, z. Mark Marku dhe z. Sokol Shameti.

Një nga pikat që u diskutuan ishte dhe një nga shkeljet më të rëndomta që bëhen në mediat online dhe që ishte “(mos)prezumimi i pafajësisë dhe raportimi i praktikave gjyqësore”. Në shumë raste, gazetarët e konsiderojnë kriminel individin e raportuar nga policia edhe pse nuk ka një vendim gjykate që e konsideron të tillë. Sipas Kodit shqiptar të Etikës së Gazetarit askush nuk duhet konsideruar fajtor pa marrë më parë një vendim gjykata.

Takimi, shumë produktiv për punën e përditshme të gazetarëve të Syri.net, është pjesë e një projekti të mbështetur nga OSFA dhe BE.

(në foto, Dr. Mark Marku dhe Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e redaksisë së Syri.NET)