Tag Archive for: self-censorship

REAGIM: Projektligji i ri i medias, edhe më i keq se i pari

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim në lidhje me projektligjin e ri të medias, të miratuar nga Qeveria në datën 3 korrik 2019 e që pritet të dërgohet për miratim në Kuvend.

Së pari, Projektligji, duke qenë se është një variant krejt i ri, nuk ka kaluar në asnjë tryezë konsultimi me palët e interesuara, çka bie ndesh me ligjin për konsultimin publik.

Së dyti, ky projektligj thyen principin e rregullimit të çështjeve etike të medias në Europë, që është “Vetërregullimi”. Projektligji vendos që çështjet etike t’i zgjidhë me rregullim nga ana e shtetit, përmes AMA-s, duke bërë që në frymë ligji të cënojë këtë princip rrënjësor në lidhje me lirinë e medias në BE e më tej.

Së treti, projektligji i kalon kompetencat për rregullim një zyre brenda AMA-s. Por,

a) AMA, nuk ka kapacitetet e duhura për të bërë këtë rregullim. AMA nuk po arrin as të kryejë detyrat që ka (si p.sh., mbledhjen e pagesave nga operatorët televizivë) jo më të ketë detyra më të vështira e të komplikuara si kontrolli e gjykimi i shkeljeve të etikës.

b) AMA, nuk krijon asnjë garanci që punonjësit e Zyrës së Këshillit të Ankesave kanë integritetin, pavarësinë, dhe kualifikimet e duhura për të bërë ekzaminimin e rasteve të shkeljes së etikës.

Së katërti, ky projektligj i jep një organi Administrativ të gjykojë mbi tema të lirisë së shprehjes. Kjo duhet të jetë kompetencë vetëm e gjykatës. Gjykimi se ku mbaron liria e shprehjes dhe ku fillojnë të drejta të tjera, si e drejta për jetë private apo e drejta për të mbrojtjen e nderit e të dinjitetit të personit nuk mund t’i lihet një organi adminstrativ si zyra e Këshillit të Ankesave të AMA-s. Kjo ëshët kompetencë vetëm e gjykatave shqiptare që kanë të tërë instrumentet për të gjykuar e vendosur në këto raste.

Së pesti, ligji ka plot probleme teknike në vetvete, që nga formulimi, afatet e ngushta të caktuara për reagim, sanksionet e larta e deri tek vendosja e sanksioneve fikse që janë antikushtetuese.

Së gjashti, ky draft është politikisht i pasinqertë sepse përmban gjoja parime që synon t’i respektojë, por përmes formulimeve i cënon ato. Sanksionet e larta, afatet e shkutra dhe mos garancia e AMA’s për gjykim të pavarur do të nxisin vetëcensurën ndër media e tek gazetarët.

Prandaj, KSHM, kërkon që Qeveria të tërheqë urgjentisht projektligjin.

Gjithashtu, KSHM fton organizatat ndërkombëtare, OSBE-në, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian që të ushtrojnë presionin e duhur që ky ligj të mos kalojë, për shkak se në frymë por dhe në përmbajtje cënon lirinë e medias dhe nxit vetë-censurën.