Tag Archive for: policia

Mbi standartin etik të publikimit të hetimeve të policisë

Nisur nga një ngjarje e fundit e kronikës, ku mediat kishin publikuar informacion nga hetimet e policisë mbi një krim të kryer në Tiranë, Bordi i Aleancës për Media Etike konsideron se ka nevojë për njësimin e një standarti etik për këto raste.

Ndërsa është pjesë esenciale e punës së medias që të kërkojë informacione nga puna e policisë për çështje e ngjarje me interes publik dhe t’i publikojë ato, mirë është që të kihen parasysh disa elementë etikë në raportim.

Së pari, duhet ruajtur identiteti i dëshmitarëve ose dhe i të dyshuarve që hetohen në gjendje të lirë. Kjo bëhet jo vetëm për të mos dëmtuar hetimet, por dhe për të mbrojtur jetën e dëshmitarëve a të dyshuarve që mund të vihet në rrezik nëse dekonspirohet.

  1. Vendlindja dhe mosha e dëshmitarit ose të dyshuarit (përveçse kur janë esenciale për të kuptuar natyrën e ngjarjes) nuk ka nevojë të vihen në raportim, edhe nëse figurojnë në informacionin e marrë prej policisë.
  2. Elementë të tjerë identifikues, si shkolla, lagjia ku banon, institucioni ku punon, nuk duhen përfshirë në raportim sepse bëjnë të mundur identifikimin e personit (përmes kryqëzimit të të dhënave).
  3. Praktika më e mirë e gazetarisë, kërkon që të mos përdoren inicialet e vërteta, por iniciale të ndryshuara, duke e informuar publikun që inicialet janë ndryshuar për të mbrojtur personin nën hetim apo dëshmitar të një çështje kriminale.