Tag Archive for: paketa antishpifje

Deputetët Holandezë: Ligji ‘Anti-shpifje’ duhet të ndryshohet përpara se të fillojnë bisedimet e pranimit në BE

Anëtarët e Parlamentit Holandez  kanë kërkuar nga qeveria e tyre të sigurojnë që Shqipëria të ndryshojë ligjin e diskutueshëm “kundër shpifjes” në përputhje me rekomandimet e ardhshme të Komisionit të Venecias, raportoi sot Exit.al.

Parlamenti Holandez

Procesverbali parlamentar për debatin e mbajtur mbi Integrimin Evropian thotë se deputetët Holandezë do të mbështesin hapjen e negociatave për bisedimet e pranimit me Shqipërinë. Megjithatë ata thanë që një numër çështjesh duhen adresuar përfshirë procesin e verifikimit gjyqësor, korrupsionin, krimin e organizuar, kërkesat e pabaza të azilit ndër të tjera. Gjithashtu theksohet që duhet të jetë një përparësi kryesore fillimi i procedurave kundër atyre që akuzohen për blerje votash.

Thuhet qartë se ligji për media duhet të ndryshohet për të pasqyruar rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke vërejtur se ky është gjithashtu një përparësi e rëndësishme (Për më shumë, lexoni në  Exit.al)

Shqetësimet për ligjin janë ngritur nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare të lirisë së mediave, OSBE, CoE, BE dhe anëtarët e Parlamentit të BE-së për frikën se ligji do të përdoret si një mjet politik për të kontrolluar median e pavarur.

Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar me shqetësim për këtë ligj dhe cëninim e lirisë së shtypit shumë herë, gjatë rimishërimeve të ndryshme të tij.

Gazetarët Kundër Ligjit Censurë për Mediat (“paketa antishpifje”)

Deklaratë e gazetarëve shqiptarë

Tiranë, 13 nëntor

Gazetarët shqiptarë, mediat shqiptare, organizatat e medias dhe ato të shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë dhe pa negociata dy projektligjet e prezantuara si “Paketa Antishpifje”; i bëjnë thirrje Qeverisë që të tërheqë urgjentisht këto projektligje.Organizatat vërejnë se dy projektligjet, ai për transformimin e AMA-s në një agjenci censure, dhe të AKEP-it në një agjenci përmbarimore për vendimet censuruese të AMA-s, përbëjnë një akt të paprecedent në botën demokratike.
Çështjet e etikës, të tilla si e drejta e përgjigjes ndaj një akuze, apo e drejta e dhënies së fjalës para publikimit të një akuze, në çdo vend demokratik trajtohen nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.
Çështje të luftës hibride, dizinformimit, financimit me para të pista të medias apo partive politike nga politika apo krimi i organizuar janë të tilla që duhet të hetohen nga organet ligjzbatuese në përputhje me ligjet dhe garancitë që ofrohen nga ligjet ekzistuese, të tilla si kodi penal apo kodi i procedurës penale.
Shqipëria ka ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, përfshirë krijimin e një organi administrativ është krejtësisht i panevojshëm në një shoqëri demokratike.
Çështjet e shpifjes dhe fyerjes në Republikën e Shqipërisë dhe në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës duhet të shqyrtohen vetëm dhe vetëm në gjykata si pushtet i pavarur. Tentativa për të zëvendësuar gjykatat me organe drejtpërsëdrejti në varësi të pushtetit politik përbën bazë për shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut dhe mund të transformohet në një gur themeli për një regjim diktatorial.