Tag Archive for: lgbti

AKGJU*: Deklaratë kundër gjuhës së urrejtjes ndaj aktivistëve të LGBTI

“Aleanca kundër urrejtjes” ka ndjekur me shqetësim të thellë debatin publik i cili po zhvillohet prej disa ditësh në media televizive dhe mediat sociale lidhur me disa kërkesa për zgjerimin e disa të drejtave të komunitetit LGBTI në respektim të të drejtave të njeriut, të shprehura nga ana e përfaqësuesve të tyre.

“Aleanca kundër urrejtjes” shpreh vendosmërinë kundër kërcënimeve, gjuhës së urrejtjes dhe çdo lloj dhune apo nxitjeje për përdorim të dhunës, të përdorur nga individë të ndryshëm publikë ose jo, në emisione televizive, media të shkruara, online apo rrjete sociale kundrejt aktivistëve të të drejtave të komunitetit LGBTI apo të çdo komuniteti tjetër, pjesëtar të shoqërisë sonë.

“Aleanca kundër urrejtjes” dënon aktet e dhunës ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTIQ, ashtu si rasti i shënuar ditët e fundit ndaj një aktivisteje transgjinore dhe nënvizon se frymëzimi e nxitja për këto shprehje brutale të refuzimit të diversitetit vijnë pikërisht prej tolerimit paraprak të gjuhës së urrejtjes.

“Aleanca kundër urrejtjes” tërheq vëmendjen dhe i kërkon  publikut shqiptar për të qenë tolerant, miqësor dhe pranues ndaj diversitetit në shoqëri, për të forcuar mbështetjen ndaj grupeve të margjinalizuara e për të treguar se pavarësisht diferencave, ne jemi të gjithë të barabartë.  Gjuha e urrejtjes shumë lehtesisht çon në krime të urrjejtjes.

“Aleanca kundër urrejtjes” shpreh mbështetjen dhe angazhimin për respektimin për të drejtat e njeriut të personave LGBTI në Shqipëri, për të drejtën e tyre për të jetuar të lirë nga diskriminimi dhe frika.

Një shoqëri është më e lumtur dhe më e emancipuar nëse arrin të pranojë në gjirin e saj të gjithë njerëzit pavarësisht racës, orientimit seksual, identitetit gjinor, bindjeve, etj.

*AKGJU përbëhet nga: Zyra e Avokates së Popullit, Zyra e Komisionerit për Diskriminim, Këshilli Shqiptar i Medias, AMA