Tag Archive for: këshilli i medias

Liria e Shtypit, është liria për të bërë pyetje!

KSHM mbështet protestën në solidaritet me gazetarin Klevi Muka

Këshilli Shqiptar i Medias mbështet protestën e sotme të gazetarëve ndaj aktit të fundit në kufizim të lirisë së informacionit nga ana e Kryeministrit Rama, me përjashtimin e gazetarit Klevin Muka nga konferencat për shtyp për 3 muaj.

Liria e shtypit është e liria për të bërë pyetje në interes të informimit të publikut dhe detyra e Kryeministrit dhe e kujdo funksionari të emëruar është që të japë përgjigje e jo sanksione.

Për sa i përket shkeljes së etikës të përmendur nga Kryeministri, gazetari Muka nuk ka bërë asnjë shkelje etike në bazë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, ndaj akti i Kryeministrit që “bezdiset” nga pyetjet është e papranueshme.

Akti i Kryeministrit, të cilin ai e quajti me termin e diktaturës “riedukim” është kufizim i pastër i lirisë së shtypit.

Mbi standartin etik të publikimit të hetimeve të policisë

Nisur nga një ngjarje e fundit e kronikës, ku mediat kishin publikuar informacion nga hetimet e policisë mbi një krim të kryer në Tiranë, Bordi i Aleancës për Media Etike konsideron se ka nevojë për njësimin e një standarti etik për këto raste.

Ndërsa është pjesë esenciale e punës së medias që të kërkojë informacione nga puna e policisë për çështje e ngjarje me interes publik dhe t’i publikojë ato, mirë është që të kihen parasysh disa elementë etikë në raportim.

Së pari, duhet ruajtur identiteti i dëshmitarëve ose dhe i të dyshuarve që hetohen në gjendje të lirë. Kjo bëhet jo vetëm për të mos dëmtuar hetimet, por dhe për të mbrojtur jetën e dëshmitarëve a të dyshuarve që mund të vihet në rrezik nëse dekonspirohet.

  1. Vendlindja dhe mosha e dëshmitarit ose të dyshuarit (përveçse kur janë esenciale për të kuptuar natyrën e ngjarjes) nuk ka nevojë të vihen në raportim, edhe nëse figurojnë në informacionin e marrë prej policisë.
  2. Elementë të tjerë identifikues, si shkolla, lagjia ku banon, institucioni ku punon, nuk duhen përfshirë në raportim sepse bëjnë të mundur identifikimin e personit (përmes kryqëzimit të të dhënave).
  3. Praktika më e mirë e gazetarisë, kërkon që të mos përdoren inicialet e vërteta, por iniciale të ndryshuara, duke e informuar publikun që inicialet janë ndryshuar për të mbrojtur personin nën hetim apo dëshmitar të një çështje kriminale.

 

 

 

 

Takim i Këshillit të Medias me Ambasadorin e BE-së, Soreka

Dje, në mjediset e Europa House u zhvillua një takim me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreka.

Takimi pati si qëllim shkëmbimin e ideve mbi situatën e medias në Shqipëri. Ambasadori Soreka u shpreh se bashkë me reformën në drejtësi, liria e medias është një nga prioritetet e BE-së për Shqipërinë në rrugën drejt familjes europiane. Gazetaria cilësore është thelbësore për të mbajtur nën kontroll të gjithë sektorët e tjerë & për të ofruar informacion të besueshëm për publikun, theksoi Ambasadori.

Sipas Kryetarit të KShM, Cukali, vetërregullimi si proces është shumë i rëndësishëm, por ai duhet shoqëruar me vullnet politik për të bërë reforma që të përmirësojnë klimën e medias si psh, në aspektin ligjor të konfliktit të interesit.

Ambasadori foli me bindje se ndihma e BE-së për mediat e gazetarët do vijë në rritje, si në sasi por dhe në shpërndarje.

Takimi në Europa House mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

Takimi mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

 

Standartet etike dhe incidenti me gazetarin e Ora NEWS, Isa Myzyraj

Në dritën e incidentit të ndodhur dje me gazetarin e Ora News (vjegëza këtu: https://www.oranews.tv/kryebashkiaku-i-tiranes-erion-veliaj-intimidon-e-dhunon-gazetaret-e-rtv-ora-dhe-ora-news/) Këshilli Shqiptar i Medias e ndjen për detyrë të përcaktojë standartet etike të intervistimit, detyrimet profesionale dhe të drejtat e gazetarit që interviston në terren, bazuar mbi Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar.

  1. Është e drejtë absolute e gazetar it të bëjë pyetje dhe t’i drejtojë mikrofonin kujtdo. Pyetjet e gazetarit duhet të jenë me interes publik.
  2. Personat e zgjedhur në poste publike, e kanë mbrojtjen e privatësisë më të vogël se njerëzit e zakonshëm. Sa më i lartë posti, aq më e vogël rrezja e privatësisë. Personat publikë e kanë për detyrë të përgjigjen pyetjeve me interes publik.
  3. Gazetari nuk mundet të fusë pajisje regjistruese dhe të realizojë regjistrime pa leje në ambientet private të një individi, qoftë ky dhe funksionar publik.
  4. Gazetari nuk mund të pengohet në punën e tij si gazetar, as ti kufizohet liria gjatë ushtrimit të detyrës, aq më tepër kur kjo detyrë realizohet në mjedise publike.

Për sa më sipër, KSHM gjykon që gazetarit të Ora News, Myzyraj, i është kufizuar ilegalisht liria e ushtrimit të profesionit, në funksion të informimit me interes publik, në ambiente publike.

Shoqata e mediave dhe të shoqërisë civile kundër tentativave të reja për të kaluar projektligjin Antishpifje

Deklaratë

Tiranë më 12 shtator 2020

 

Shoqëria civile i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të heqë dorë nga projektligji aktual antishpifje dhe të nisë procesin nga e para

 

Pesëmbëdhjetë organizata shqiptare të Shoqërisë Civile janë informuar në rrugë jozyrtare për një përpjekje nga ana e shumicës parlamentare të Partisë Socialiste për të çuar përpara, në mënyrë jokorrekte dhe jotransparente projektligjin e shumëdebatuar për mediat online, duke mos respektuar në tërësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe duke anashkaluar disa nga vërejtjet më të rëndësishme të këtij opinioni.

Organizatat janë informuar se Kuvendi i Shqipërisë ka në plan të shqyrtojë dekretin e Presidentit Meta për rikthim të ligjit për rishqyrtim dhe në bazë të nenit 86 të rregullores, të trajtojë vetëm ato pika për të cilat Presidenti ka pasur vërejtje.

Organizatat vërejnë se kjo është mënyra e gabuar e trajtimit të problemit dhe nuk adreson shqetësimin kryesor të ngritur nga Opinioni i Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të pranojë dekretin e Presidentit dhe të rinisë procesin nga e para në mënyrë që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret vetëm pasi të jemi siguruar për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.

Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.

Komisioni i Venecias, në opinionin e vet në pikën 71 shkruhet: [Komisioni] këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA në fushën e medias online pa një fuqizim korrespondues të pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.”

Organizatat vërejnë se pavarësia dhe profesionalizmi i këtij Institucioni të pavarur (AMA) që Venecia rekomandon, nuk garantohet me korrektime në legjislacion, aq më tepër në kushte të urgjencës/shpejtësisë, por kërkon një debat të mirëfilltë që më së pari duhet te vijë si nismë e vetë gazetarëve profesionistë dhe jo e ekzekutivit/parlamentit.

Organizatat rikujtojnë gjithashtu se në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetërregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias.

Për sa më sipër, organizatat kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të mos vijojë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh me kushtetutën dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Organizatat shprehin gatishmërinë të ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë në trajtimin e shqetësimeve të ngritura më herët.

 

Lista e organizatave nënshkruese:

BIRN Albania

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Faktoje

Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut

Këshilli Shqiptar i Medias

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

New Media Network

Qendra Res Publica

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

 

Mëngjesi në Departamentin e Lajmeve në RTSh

Këshilli Shqiptar i Medias vizitoi mëngjesin e sotëm ambientet e Departamentit të Lajmeve në Radio Televizionin Shqiptar. Gjatë vizitës ishte prezent kryeredaktori i Lajmeve të RTSh-së z.Bledar Zaganjori, i cili i prezantoi gazetarët me ekspertët e etikës së Këshillit. Radio Televizioni Shqiptar është një media në të cilën zhvillohet një debat i vazhdueshëm për etikën dhe gazetarët e saj rrëfyen se hasin presion të papërfillshëm nga instancat drejtuese apo nga politika, duke bërë që puna e tyre të rrjedhë e qetë e të jetë etike. Një teme që iu kushtua rëndësi ishte krijimi i Aleancës për Media Etike ku gazetarët u interesuan për të ditur se çfarë do të ndodhë me mediat të cilat nuk i respektojnë standardet etike pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në Aleancë. Pyetjeve të gazetarëve u dha sqarim kryetari i KSHM-së, z. Koloreto Cukali i cili tha se mediat që janë pjesë e Aleancës do të përjashtohen nga vetë anëtarët e tjerë të Aleancës nëse nuk do ta respektojnë në mënyrë të vazhduar Kodin e Etikës. Në diskutim u fol për Këshillin e Etikës brenda RTSH-së dhe kodin e tyre të etikës i cili përmban standardet e veta e që janë bashkëkohore. Sipas gazetarëve, RTSH-ja përpiqet t’u qëndrojë besnik këtyre parimeve. Dallimi i

Mark Marku gjatë takimit me gazetarët e RTSH-së

RTSH nga shumë media të tjera janë dhe pasja e studiove dhe korrespodentëve nëpër rrethe çka e bën përgjegjësinë e etikës më të lartë pasi shtrirja e raportimit të tyre është akoma më e madhe. Gazetari dhe eksperti i etikës, z. Sokol Shameti solli përvojën e mediave të tjera publike në rajon duke diskutuar edhe për mënyrat e rritjes së audiencës pa shkelur etikën në raportim te mediat publike. Vizitat në redaksitë e mediave, mbështetur nga OSFA – Open Society Foundation Albania, ka qenë një mënyrë unike për të njohur problematikat e redaksive të mediave të reja por jo vetëm dhe për të krijuar një debat konstruktiv mbi etikën.