Reagim: Kërcënimet me vdekje nga gazetares Taylor duhen dënuar nga të gjithë!
KSHM dënon me forcë kërcënimet me vdekje dërguar në rrjete sociale ndaj gazetares Alice Taylor, njëkohësisht dhe anëtare e Bordit të Aleancës për Media Etike. Këto kërcënime, të bëra nga llogari të rreme në Facebook që mund të vijnë nga individë, kompani, politikanë apo dhe grupime politike të cilët kanë arsye të tremben nga puna e gazetarëve të pavarur, janë shprehje e qartë e klimës së dhunës ndaj medias që ekziston në vend.
Qeveria shqiptare edhe pse nuk mund të mbajë përgjegjësi direkte për kërcënimet nga llogari të rreme në Facebook, duhet të mbajë përgjegjësi për klimën e dhunës ndaj gazetarëve, e cila krijon hapësira për akte të tilla. Kjo klimë mund të shpërndahet vetëm me reagime të forta nga ana e ekzekutivit dhe tërë aktorëve politikë si dhe me akte konkrete për të gjetur fajtorët.
KSHM i bën thirrje autoriteteve shqiptare për të investiguar deri në fund ngjarjen dhe për të zbuluar fajtorët.