Shqetësim për gjuhën e z. Blushi ndaj botuesit të Shqiptarja.com

Këshilli Shqiptari Medias shpreh shqetësimin e vet për gjuhën agresive dhe termat fyes të përdorur nga zëdhënësi i Presidencës, z. Tedi Blushi ndaj botuesit të Shqiptarja.com dhe Report TV në një postim në FB.

Nga gazetarët kërkohet që të jenë profesionalë në punën e tyre, por gjuha fyese dhe kërcënuese, nga cilado palë që të vijë, është e papranueshme.

Këshilli Shqiptar i Medias i kërkon z. Blushi që të mbajë standartin etik që të gjithë presim nga institucioni i Presidencës, në respekt të punës së gazetarëve dhe të fjalës së lirë.

Në rast shkeljesh etike nga ana e gazetarëve të mediave anëtare të Aleancës për Media Etike mund të bëhet ankesë tek Bordi i Ankesave të Aleancës, ndërsa në rast shpifjesh, zgjidhja gjendet në gjykata shqiptare, dhe jo me fyerje ndaj gazetarëve.