DEKLARATË PËR MEDIAT

Të enjten, më 21.05.2020, Kuvendi miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, me note maksimale.

Shprehim shqetësimin tonë, se ky vlerësim kaloi pa debat efektiv në Komisionin e Çështjeve Ligjore (si autor i projekt rezolutës), pa u ftuar media, gazetarë, aktivistë dhe organizatat e shoqërisë civile, aktorët më të interesuar dhe më të prekur nga mungesa e transparencës së institucioneve publike.

E drejta për informim është një e drejtë Kushtetuese, nga ku nis mbrojtja e të gjitha të drejtave të tjera Kushtetuese. Pa informacion nuk ka transparencë dhe pa transparencë nuk ka llogaridhënie.

Zyra e Komisionerit ka rol kyç për të trajtuar ankesat kundër institucioneve shtetërore, të cilët nuk japin informacion publik dhe nuk bëjnë transparente punën e tyre. Ne, aktorët më aktivë në kërkim të transparencës, shprehim shqetësimin tonë për sjelljen e Kuvendit që e trajton rregullisht këtë çështje si të jetë rutinë dhe e dorës së fundit.

Shprehim keqardhje që Komisioni për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, edhe këtë vit nuk mori masa siç vepron për çështje me rëndësi, për të siguruar pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe gazetarëve, që disponojnë fakte dhe analiza studimore lidhur me zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit.  Shoqëria civile dhe gazetarët janë një zë serioz oponence që ndihmon deputetët të reflektojnë mbi gjendjen reale dhe për të adresuar shqetësimin e vërtetë të subjekteve.

Shprehim zemërim, kur shohim se si deputetët e Kuvendit injorojnë debatin si me publikun e interesuar edhe mes tyre, të cilët e kanë kufizuar misionin e deputetit në funksionin e një Noteri Publik, që certifikon çdo akt që i paraqitet mbi tavolinë.

Shprehim indinjatën tonë që i vetmi deputet, i cili kërkoi të ngrinte pyetje thelbësore për këtë çështje me rëndësi kushtetuese, kërkohet të procedohet me masë disiplinore për faktin se i ndërpreu fjalën Komisionerit. Po i njëjti Kuvend, i painteresuar për vlerën e procedurave parlamentare të konsultimit publik, i painteresuar për debat real, shfaq papritur interes të lartë për shkelje të procedurave parlamentare nga i vetmi deputet, Z. Ralf Gjoni, i cili,  në rrethana të injorimit të shoqërisë civile dhe debatit të shëndoshë demokratik, ngriti zërin lidhur me:

  1. Raportet e organizatave të shoqërisë civile që dëshmojnë për regres të transparencës së organeve publike, duke nxjerrë në pah probleme serioze edhe në punën e Komisionerit, ndryshe nga sa raporton kjo zyrë;
  2. Një numër të lartë të padive në gjykatën administrative, të ngritur nga gazetarët dhe aktivistët, përfshirë edhe ata për mbrojtjen e teatrit, kundër institucioneve jotransparente dhe vetë Komisionerit;
  3. Një protestë (e para e këtij lloji) para zyrës së Komisionerit, nga aktivistët për mbrojtjen e teatrit.

Me këtë Deklaratë i bëjmë thirrje Kuvendit dhe faktorit ndërkombëtar, të kthejnë kokën nga zëri alternativ i shoqërisë civile për të vlerësuar çështje të rëndësishme dhe të mos marrin për bazë vetëm burimet vetëvlerësuese të zyrave të shtetit si Komisioneri për të Drejtën e Informimit apo Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, që janë potencialisht të kompromentuara dhe rrjedhin nga procese jo transparente dhe në shkelje të procedurave e parimeve të një shteti demokratik.

 

RES PUBLICA

CIVIL RIGHT DEFENDERS

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

NISMA THURJE

KËSHILLI SHQIPTAR I MEDIAS

BIRN

QENDRA FAKTOJE

ECOALBANIA

CITIZENS CHANEL

SHOQATA E ORNITOLOGËVE SHQIPTARË “AOS”

ECO PARTNERS

GRUPI ATA

LINDITA CELA, gazetare OCCRP

OLA MITRE, gazetare

ARTAN RAMA, gazetar