Deklaratë e KSHM për Ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit

Liria e shtypit ka degradim në një pjesë të madhe të botës, por është më e ndjeshme në vende me demokraci të pakonsoliduar, si Shqipëria.
Problemet më të mëdha që përballet sot gazetaria, gazetarët dhe publiku janë:

  1. Prodhimi masiv i lajmeve të rreme, të ashtuquajturave fake news, një pjesë e madhe me burim pushtetin, kryesisht Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.
  2. Financimi jo-transparent i shumë mediave, kryesisht online. Ky financim vjen shpesh nga njerëz me pushtet, politikanë të pasur ose oligarkë. Jo rrallë, liria e medias blihet dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes financimeve shtetërore ose reklamave të kompanive ët mëdha.
  3. Siguria e gazetarëve qoftë ajo fizike apo siguria e vendit të punës. Gazetarët janë të kërcënuar shpesh nga pronarët e kryeredaktorët që të mos bëjnë punën e tyre, ose më keq, të raportojnë lajme të pavërteta. Ata nuk mbrohen me kontrata, nuk kanë sindikata funksionale dhe janë në mëshirën, fjalë për fjalë, të pronarëve për mbijetesë.

Në kushtet e sotme, kur Qeveria ka hartuar një projektligj regresiv që krijon kushte për censurë e vetë-censurë me synim median online, situata e medias bëhet dhe më e vështirë.

Hapi i parë drejt një procesi të përmirësimit të punës e të kushteve të medias është krijimi i hapësirave ligjore për vetërregullimin e medias (përkundër tentativave për rregullim nga Qeveria), krijimi i sindikatave dhe aplikimi i kontratave kolektive në çdo media ku gazetarët punojnë. Pa këto 3 kushte nuk mund të presim një përmirësim të punës së gazetarit e as produkteve mediatike.