Exit.al media e parë në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor e cila përfundoi Auditimin e Pavarësisë dhe Profesionalizmit

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor tanimë kanë median e parë e cila përfundoi me suskses  auditimin e kryer nga Rrjeti i Gazetarisë Etike ‘Iniciativa e Mirëbesimit të Gazetarisë’.

Lajmin e publikoi Exit.al në faqen e tyre. Projekti i auditimit të Pavarësisë dhe Profesionalizmit u mbikëqyr nga presidenti i EJN-s Aidan White.

Këshilli Shqiptar i Medias përgëzon Exit.al për rezultatet e arritura.

Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për mediat shqiptare. Deri më tani vetërregullimi është dukur si një barrë në të cilën ne jemi disi “të detyruar” sepse duam ta mbajmë qeverinë larg trajtimit të rregullimit të etikës – tha Koloreto Cukali, drejtues i KSHM-së.

Këshilli Shqiptar i Medias do të merret me çdo çështje të përshkallëzuar për të menaxhuar çdo ankesë të Exit.al.

Qëllimi përfundimtar i projektit është të mbështesë “lirinë universale, individuale të mendimit përmes qasjes në informacion dhe mediave të pavarura, pluraliste. Duke ruajtur standardet profesionale, duhet të shfaqet një peisazh i shëndetshëm i medias dixhitale, nga i cili çdo qytetar dhe punonjës mediatik, por edhe shoqëritë në përgjithësi, mund të përfitojnë. ”

Procesi ndjek pesë parime kryesore, të cilat Exit.al do t’i zbatojë përmes kodit etik, politikave të brendshme dhe të jashtme, udhëzimeve editoriale, udhëzimeve të një ombudsmani të pavarur dhe trajnimeve dhe rishikimeve të vazhdueshme.

  • Saktësia dhe komunikimi i bazuar në fakte;
  • Pavarësia nga qendrat e pushtetit politik, të korporatave ose të tjera;
  • Paanshmëria e duhur në një qasje sistematike të raportimit dhe redaktimit;
  • Drejtësia, respekti dhe konsiderimi i ndikimit të gazetarisë në jetën e të tjerëve;
  • Transparenca për të lehtësuar llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndaj publikut.

 

“Angazhimi i Exit News për etikën është një garanci për publikun në lidhje me cilësinë e gazetarisë së tij.

Në këto ditë të vështira, njerëzit bombardohen me informacione – shumica e tyre janë false, të deformuara dhe madje abuzive. Për të luftuar këto kërcënime, mediat duhet të rinovojnë angazhimin e tyre për të treguar të vërtetën, transparencën dhe raportimin etik.

Exit News e ka bërë pikërisht atë duke vendosur një standard që të gjithë gazetarët duhet të ndjekin, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian,- është shprehur White.