Si e trajtuan mediat shqiptare situatën e pas-tërmetit
Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim ndaj mënyrës joetike sesi shumë media, elektronike apo audio-vizive, pasqyruan situatën e tërmetit në Shqipëri, në kundërshtim me praktikat e gazetarisë serioze dhe të Kodit shqiptar të Etikës së Gazetarit.
Së pari, përdorimi i pavend e i tepruar i termave frikëndjellës si “i tmerrshëm”, “i frikshëm”, “terror”, “dramatike”, “panik”, është jo-profesional dhe madje indukton psikoza në audiencë, sikurse edhe tentativa e pareshtur e gazetarëve për të kërkuar “panikun” edhe aty ku nuk ishte e për ta përcjellë në raportim.
Së dyti, botimi i lajmeve të paverifikuara dhe nganjëherë dhe qesharake, që nga “shembja” e Shkëmbit të Kavajës e deri te “përmbytjet” që presim pas tërmetit apo “parashikimi” i orës së tërmeteve, është pjesë e një gazetarie jo-profesionale për të mos thënë gazetarie të keqe. Mediat nuk duhet të botojnë lajme të paverifikuara, aq më tepër me pasoja për publikun, pavarësisht se mund t’i ketë publikuar një portal tjetër. Verifikimi i “lajmit” për parashkimin e tërmetit të orës 23:30 ishte gjëja më e thjeshtë në botë, por asnjë media nuk mori përsipër ta bënte atë, edhe pse mjaftonte një kërkim i thjeshtë në google për të lexuar që tërmetet NUK mund të parashikohen.
Së treti, ky raportim jo-etik nuk u ndihmua nga strukturat shtetërore, të cilat nuk ndihmuan në pasqyrimin e saktë të situatës me protagonizmin e panevojshëm të ministrave e ministreshave në një moment kur duhet të flisnin profesionistët, e deri tek vendimmarrjet e paarsyetuara si mbyllja e shkollave. Por pavarësisht paaftësisë që strukturave shtetërore për të qetësuar dhe informuar saktë publikun, është detyrë e medias të mos bëhet përshpejtues i panikut, siç edhe ndodhi.
Mënyra më e mirë që ka publiku për t’u mbrojtur nga gazetaria e keqe, jo-etike, panikndjellëse, është që të fillojë të dallojë mediat profesioniste nga mediat jo-etike. Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur ga gazetaria e keqe është të kuptoni kush e bënatë e të mos e konsumoni.
Së shpejti, KSHM do të prezantojë një sistem për të ndihmuar publikun të dallojë mediat etike e të besueshme nga ato jo-profesionale.