Deklaratë: Për paketën e projektligjeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave për rregullim e medias online
Pasi u njohëm me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar; dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, të miratuar nga Këshilli i Ministrave me datë 3 korrik 2019, si pjesë e të ashtuquajturës ‘paketa anti-shpifje”, ne, përfaqësuesit e organizatave të lirisë së medias, shprehjes dhe organizatave të të drejtave të njeriut, deklarojmë sa më poshtë:
Projektligjet e miratuara nga qeveria shqiptare nuk përmbushin standardet ndërkombëtare dhe principet e lirisë së medias dhe shprehjes të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Projektligjet i japin fuqi një enti administrativ shtetëror për të rregulluar përmbajtën e mediave online, ndërkohë që nuk adresojnë problemin e gjithpërhapur të propagandës së kamufluar si informacion dhe dizininformimit të sponsorizuar nga qeveria, njësitë e qeverisjes vendore dhe partitë politike.
Këto projektligje rrezikojnë të rrisin censurën dhe vetcensurën në median shqiptare dhe mund të kontribuojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri, e cila siç u konstatua dhe nga një mision i shtatë organizatave ndërkombëtare në qershor 2019 është “në përkeqësim”.
Projektligjet në mënyrë të paprecedentë në vendet demokratike, synojnë të krijojnë një regjim kontrolli administrativ mbi median online, përmes Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA). AMA është institucion anëtarët e të cilit emërohen dhe shkarkohen në pothuajse diskrecion të plotë nga partitë politike. Ky institucion administrativ, Këshilli i Ankesave pranë AMA, synon të zëvendësojë modelin e vetë-rregullimit të mediave online dhe rolin e gjykatave me një mandat të gjerë e përkufizuar si “mbrojtja e dinjitetit dhe privatësisë”.
Ndryshimet e propozuara në ligjin Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” në mënyrë të tërthortë imponojnë regjistrimin e ‘ofertueseve të shërbimeve të mediave’ si parakusht për të përftuar “lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.”
Ky projektligj i jep fuqinë Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Medias Audiovizive në rastet e shkeljes së “dinjitetit dhe privatësisë së qytetarëve,” të detyrojë mediat online të publikojnë kërkesa ndjese – bazuar në një formulë të aprovuar nga AMA, të heq përmbajtjen nga interneti ose parashikon vendosjen nga Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike të një njoftimi “pop-up” me vendimin e AMA-s. Detyrimi i vendosur ndaj medieve online për ruajtjen e “dinjitetit dhe privatësisë së qytetarëve” është shumë i gjerë dhe i paqartë, çfarë i jep mundësinë Këshillit të Ankesave të kthehet në një organ cenzure, duke urdhëruar heqjen e përmbajtjes nga media online në një mënyrë diskrecionale dhe pa urdhër të gjykatës.
Ne besojmë se një organ administrativ, si AMA, nuk mund dhe nuk duhet të ngarkohet me kompetencat e shqyrtimit të shpifjes, të cilat gjykohen nga gjykatat penale dhe civile në vend.
Projektligji për ndryshimin e ligjit Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” gjithashtu parashikon fuqizimin e Këshillit të Ankesave për të vendosur masa administrative joproporcionale që variojnë nga 100,000 lekë deri në 1 milion lekë, të cilat nuk pezullohen nga ankimi në gjykatë. Këto masa ‘drakonike’ administrative nuk diferencojnë qartë nëse ofertuesi i shërbimeve mediatike është një ‘blog’ i një qytetari apo publikimi online i një televizioni kombëtar.
Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në ligjin Nr.9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë,” lënë hapësirë për një rregullim të dyfishte të medias online, jo vetëm nga AMA por edhe nga AKEP. Ndryshimet e propozuara të nenit 137 të këtij ligji, i ekspozojnë “ofruesit e shërbimit të komunikimeve publike’” që nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP-it, të cilat lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe të AMA-s apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, ndaj gjobave që shkojnë deri në 100 milionë lekë.
Të dy projektligjet e propozuara bien ndesh me praktikat më të mira ndërkombëtare që synojnë vetë-rregullimin e medias online dhe jo rregullim shtetëror të saj, përmes ngritjes së institucioneve administrative censuruese. Gjithashtu, ata nuk janë hartuar pëmes një procedure transparente dhe në konsultim me aktorët e interesuar.
Ne inkurajomë Qeverinë Shqiptare të tërheqë dy projektligjet si dhe i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos i miratojë ato, duke marrë parasysh kundërshtitë e ngritura nga gazetarët, shoqëria civile dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Qeveria, në vend se të bëjë rregullim të dyfishtë të shpifjes dhe fyerjes, duhet të fokusohet në dekriminalizimin e plotë të tyre, bazuar në shembujt më të mirë ndërkombëtarë.
Miratimi i këtyre projektligjeve në formatin aktual apo me ndryshime kozmetike do të ishte një hap pas për demokracinë dhe liritë themelore në Shqipëri dhe procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane.
Organizatat firmëtare
- BIRN Albania
- Civil Rights Defenders
- Instituti Shqiptar i Medias
- Instituti Shqiptar i Shkencave
- Këshilli Shqiptar i Medias
- Qendra Res Publica
- Qendra Shqiptare MediaLook
- Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
- Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
- Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë
*Letra do t’i dërgohet si njoftim edhe të gjitha institucioneve, organizatave dhe mediave ndërkombëtare.