Tag Archive for: press council

Univ. A. Xhuvani: A mos ka ardhur koha e Urdhërit të Gazetarëve?

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ishte stacioni i fundit për këtë vit i turneut të KSHM-së nëpër universitetet e vendit, mbështetur nga Bashkimi Europian.

Mbi njëqind studentë të gazetarisë ishin mbledhur në sallën e madhe të Bibliotekës së Universitetit për të diskutuar për problemet e etikës së gazetarisë dhe të medias në përgjithësi, me gazetarët Alfred Lela e Sokol Shameti, si dhe Profesorin e Fakultetit të Gazetarisë në UT, z. Mark Marku.

KSHM – Z. Mark Marku mes studentëve të Univ. A. Xhuvani, Elbasan

Ndryshe nga shumë universitete të tjera që KShM ka vizituar gjatë turit të vizitave e ku shumica e studentëve aspirojnë për një të ardhme në pozicione komunikimi ose PR, në Univ. A. Xhuvani pjesa më e madhe e tyre kishin si ëndërr gazetarinë.

Studentët ishin të mirëinformuar për problemet etike që paraqet media në vend dhe i paraqitën shqetësimet e tyre gjatë debatit. Ata shprehën nevojën për rregullim të mungesës së etikës në vend, edhe pse ishin shumë të ndërgjegjshëm që kjo nuk mund të bëhet përmes rregullimit të shtetit. Sipas z. Marku, nëse do ishte e domosdoshme të zgjidhej mes një gazetarie cilësore por të kontrolluar nga shteti dhe asaj jo cilësore por të lirë, peshorja duhet të anojë nga e dyta.

KSHM – gazetarët Sokol Shameti (në nqedër) dhe Alfred Lela (djathtas) mes studentëve të Univ. A. Xhuvani, Elbasan

Një nga idetë e hedhura nga studentët ishte krijimi i një institucioni të ngjashëm me Urdhërin e Gazetarit (siç funksionon në Itali) dhe që të mund të “çertifikonte” gazetarët që punësohen në media për të garantuar etikën e tyre. Edhe pse nga gazetari Lela u konsiderua e domosdoshme nevoja e një hierarkie cilësore në gazetari, z. Cukali argumentoi që kjo do të cënonte lirinë e kujtdo që nuk ka një çertifikatë për t’u angazhuar në gazetari, apo edhe në formën e gazetarisë qytetare.

KSHM – gazetari Sokol Shameti duke debatuar me studentët e Univ. A. Xhuvani, Elbasan

Studentët dhe profesorët kërkuan nga KShM që të ngrejë standartet e gazetarisë që bëhet sot, por, në fund ideja mbizëtoruese ishte që rëndësi parësore ka publiku, i cili është “çertifikuesi” final me anë të klikimeve e shikueshmërisë i cilësisë së medias. Nëse audienca preferon të klikojë gazetarinë e “spektaklit” e të abuzimit, ajo do krijojë hapësirë që kjo gazetari të lulëzojë. Sa më e paarsimuar mediatike të jetë audienca, aq më shumë do lulëzojnë mediat joetike.