Tag Archive for: kodi i etikes

AMA gjobit televizionet KLAN, News 24 e Report TV, ndërsa i tërheq vëmendjen “Ora News”-it

Sipas njoftimi për shtyp të datës 17 prill 2019, AMA ka marrë vendim për të gjobitur televizionet KLAN, News 24 dhe Report TV për shkelje etike ndërsa një tërheqje vëmendjeje ndaj TV Ora News. Sanksionet e AMA-s vlejnë për të kuptuar nivelin e shkeljeve të etikës në televizionet shqiptare.

Sipas njoftimit për shtyp nga AMA, Televizioni Ora News propozohet të gjobitet me masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora News, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”. Këto deklarime, sipas njoftimit për shtyp, nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.

Televizioni Report TV po ashtu propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.

Një masë administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, propozohet ndaj Televizionit News 24, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Gjithashtu, transmetimi brenda edicionit të lajmeve i dy kronikave shkel edhe nenin 44 të Ligjit 97/2013, për “vendosjen e produkteve gjatë programeve”, pasi insertet konsiderohen produkte.

Televizioni Klan propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare. Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.

Ndërkohë, që të intervistuarit kanë shkelur dhe “Kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore”, pika 3 e nenit 60 ku ndalohet për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar”.

Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, që rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike. Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”. Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmmijet por gjithashtu bie ndesh me Ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.

Prezantohet Kodi i ri i Etikës

Më 29 Mars 2018, u zhvillua prezantimi i Kodit të ri të Etikës, një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e gazetarëve e që u ndoq nga  gazetarë, publicistë dhe përfaqësues të tjerë të medias e të shoqatave të medias.

Këshilli Shqiptar i Medias si pjesë e grupit të punës në përpilimin e kodit të ri të etikës së gazetarit mori pjesë në këtë takim me përfaqësues Drejtorin ekzekutiv z.Koloreto Cukali  në  eventin e organizuar me këtë rast në Librarinë Tirana Times.

Kodi i Etikës së Gazetarit (2018), që u hartua si pjesë një projekti të përbashkët të Këshillit Shqiptar të Medias dhe Institutit të Medias në kuadër të programit JUREX fianncuar nga  Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës synon të sjellë një version të përditësuar të kodit që reflekton ritmet kolosale të zhvillimit të medias.

Olsi Dekovi, nëndrejtor i Këshillit të Europës për Shqipërinë tha se “Liria e shprehjes pa cënuar privatësinë jane dy elementet thelbësorë të etikes”.

Risia e kodit të ri qëndron në përfshirjen në normën rregulluese të medias on line si një medium që ka shpërthyer në mënyrë të vrullshme por që edhe ka shumë nevojë për orientim pasi bashkë me zhvillimin ka sjellë edhe kaos.

  1. Koloreto Cukali tha në fjalën e tij se në Shqipëri “kaosi ekziston dhe të drejtat e publikut shkelen lehtësisht. Këshilli Shqiptar i Medias si mbikqyrës i zbatimit të Etikës është e vetmja rrugë drejt vetëregullimit”.

Shqipëria e cila është fundit në rajon që ka ngritur një Këshill të Medias ndodhet në një situatë ku lulëzimi i medias online është shoqëruar edhe me shkelje të etikës. Sipas Cukalit nga monitorimet e kryera nga Këshilli në muajin e fundit në vetëm 10 media rezultojnë mbi 70 shkelje të etikës.

Cukali vijoi duke thënë se sa më shumë i afrohemi Europës aq më shumë rruga ngushtohet dhe do të kërkohet që ky kaos të zgjidhet. “Rruga është e gjatë dhe ka vështirësi duke nisur që nga pronarët që nuk janë të interesuar që të ndjekin rrugën e etikës dhe duke vazhduar me gazetarët të cilët nuk kanë kohë dhe janë të keqpaguar për të vazhduar me publikun që është kthyer në apatik”.

Versioni i fundit i Kodit daton në vitin 2006, por nuk zbatohet. Shkeljet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve janë kthyer në standard, ndërsa vëmendja editoriale ndaj këtyre shkeljeve është dobësuar.

Por sipas Mark Markut, një nga ekspertët që kanë hartuar kodin  e ri të gazetarit, një herësh edhe anëtarë i Bordit të Etikës, pranë Këshillit Shqitpar të Medias “Etika është një normë dhe zbatimi i saj është një process që kërkon kohën e vet.  Sipas Markut nuk kemi pse shqetësohemi pse nuk merret si ligj se në atë rast regullimi do ti zinte vendin vetëregullimit ndërsa janë dy gjëra të ndryshme”.

Duke cituar Aidan White, Z.Remzi Lani, udheheqës i grupit të punës për hartimin e kodit tha se “ gazetari nuk ka liri fjale por fjalë të përmbajtur. Gazetari është gazetar sepse zbaton etikën” shtoi ai.

Ndërsa gazetari e anëtari i Këshillit Blendi Salaj tha se “ këto udhezime për gazetarinë etike nuk janë kufizim por mënyrë për ta bërë si duhet gazetarinë on line”.

Këshilli Shqiptar i Medias, synon të forcojë dhe të sigurojë Zbatimin e Kodit të Etikës, si mënyra më e mirë për të nxitur vetë-rregullimin dhe përmirësuar cilësinë e medias në Shqipëri.

Këshilli është themeluar dy vjet më parë por ka nisur aktivitetin në shtator me shqyrtimin e anankesave tankesave dhe monitorimin e shkelejve të etikën në disa media e portaleve shqiptare.