Holanda kërkon për negociatat BE-Shqipëri të plotësohet paraprakisht Ligji i Medias dhe Gjykata Kushtetuese

Me rastin e organizimit të konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjes së negociatave BE-Shqipëri, qeveria Holandeze përgëzon gjetjet e progres raportit të Komisionit Evropian si dhe kërkon paraprakisht nga Shqipëria plotësimin e dy kushteve të mbetura.

Këshilli i Europës do të mbajë një takim me ministrat e jashtëm të BE-së më datën 10 nëntor ku ndër të tjera do të diskutojë fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëm kur kushtet e vendosura në konkluzionet e Këshillit Evropian të Marsit 2020 të plotësohen bindshëm, mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, shprehet e vendosur qeveria Holandeze.

Ajo vuri në dukje se ligji i medias duhet të rishikohet në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias.

Që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë i paketës Anti-shpifje u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime  madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias për organizatat shqiptare të medias si dhe ato të huaja.

Në muajin Qershor, u bë publik draft-opinioni i Komisionit të Venecias për Paketën Antishpifje.

Fillimisht, Komisioni i Venecias theksoi se ky ligj i jep Autoritetit të Medias Audiovizive dhe Komisionit të Ankesave fuqi të mëdha administrative për median “online” dhe këto fuqi nuk mund t’iu besohen këtyre organeve, pa siguruar më parë se janë mjaftueshëm të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha mediatike ose interesat e korporatave të lidhura me politikën.

Komisioni i Venecias nënvizoi se ka nevojë për rishikim edhe në mënyrën se si përzgjidhen anëtarët e AMA-s dhe Komisionit të Ankesave për të pasur sigurinë se këto institucione përbëhen nga individë të kualifikuar dhe që e përfaqësojnë komunitetin e medias dhe gëzojnë autonomi të besueshme nga qeveritë.

Reagim në lidhje me identifikimin e viktimave të COVID-19

Këshilli Shqiptar i Medias shpreh shqetësimin e vet për identifikimin e vazhdueshëm në media të viktimave të pandemisë COVID-19, ku në mes tyre janë dhe mjekë, infermierë apo edhe persona jo të fushës së mjekësisë.

Nga gazetarët kërkohet që të jenë profesionalë në punën e tyre, duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjarë vetë tyre.

Referuar Kodit të Etikës gazetarët duhet të lejojnë që njerëzit të mbajnë zi privatisht duke raportuar tema të tilla me simpati dhe vetë përmbajtje.

Këshilli Shqiptari Medias i kërkon mediave të heqin emrat e viktimave të publikuara dhe fotot e tyre, përveç rasteve kur publikimi bëhet me konsensusin e familjarëve.

Reagim për publikimin e fotove të fëmijëve të kthyer nga Siria

Këshilli Shqiptari Medias shpreh shqetësimin e vet maksimal për mënyrën sesi po paraqitet në media rasti i fëmijëve të kthyer në Shqipëri nga kampi Al-Hol në Siri.

Publikimi i fotove dhe videove të katër fëmijëve u bë në fillim nga Kryeministri, më  pas nga mediat televizive. Lajmi u rimor më tej nga të gjitha mediat që kanë publikuar informacione me emrat dhe fotot e fëmijëve, ku dukshëm gjendja e tyre ka qenë e rënduar dhe tepër shqetësuese.

Ky publikim është në shkelje të rëndë të Kodit të Etikës pasi në asnjë rast nuk duhej publikuar identitetit të fëmijëve, as fotot e as emrat. Këto publikime do të mbeten në rrjet për vite të tëra duke i ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme fëmijët në të ardhmen, por dhe kur të arrijnë moshën madhore. Fëmijët nuk kanë zgjedhur ta bëjnë publike këtë moment tragjik të tyre, të tjerët po i ekspozojnë ata.

Këshilli Shqiptari Medias i kërkon mediave të mbajnë standardin etik dhe profesional, dhe u kërkon të heqin nga publikimet e këtyre ditëve fotot dhe emrat e këtyre fëmijëve.

Gazetarëve u kërkohet të jenë profesionistë dhe mos të publikojnë më raste të kësaj natyre edhe kur burimi i informacionit është Qeveria dhe shkelja e parë bëhet nga vetë Kryeministri.

Këshilli Shqiptar i Medias i kërkon autoriteteve qeveritare që raste të tilla të mos përsëriten, të tregohen më korrekte në mbrojtjen e fëmijëve dhe mos e dekonspirojnë identitetin e tyre në asnjë rrethanë përveçse kur është e nevojshme për të mbrojtur jetën e tyre.

Tre vjet nga vrasja e gazetares Dafne Caruana Galizia

Vrasja në Maltë e gazetares investigative, Dafne Caruana Galizia, ka qenë kryefjala e mediave të huaja që në momentin kur një atentat me bombë në makinën e saj i mori jetën, në tetor të vitit 2017. Sot është tre vjetori i vrasjes së gazetares.

Parë ky si një sulm i dhunshëm ndaj fjalës së lirë në një vend paqësor, anëtar të BE-së, vdekja e saj shkaktoi një “tërmet” politik që rrëzoi nga detyra një kryeministër dhe çoi në ndryshime të mëdha kushtetuese në ish-koloninë britanike.

Megjithatë, tre vjet më vonë, drejtësia nuk është vendosur ende për familjen e Caruana Galizia-s. Nuk ka pasur gjykime dhe as dënime.  Tre të akuzuar për vendosjen e bombës që e vrau nuk do të përballen me gjykimin deri në vitin e ardhshëm.

Vrasja e Dafne-s është një sinjal i keq për tërë vendet demokratike, sepse u tregon zyrtarëve të korruptuar se po të vrasin gazetarët që i investigojnë, ata mund t’ia hedhin.

Këshilli Shqiptar i Medias në përvjetorin e vrasjes së gazetares malteze, dëshiron të shprehë mbështetjen maksimale për punën e të gjithë gazetarëve si Dafne që janë në rrezik të vazhdueshëm duke ekspozuar publikisht aferat korruptive dhe politikanët e korruptuar në Shqipëri. Presioni është i madh, propaganda është në majat e veta, ndaj shembuj si i Dafne-s tregojnë se sot gazetarët duhet të jenë më të bashkuar se kurrë.

Sot bëhen 3 vjet nga vrasja e gazetares Dafne Caruana Galizia që po investigonte afera korruptive në vendin e vet e që shkonin deri në nivelet më të larta të politikës e biznesit në Maltë, vend i Bashkimit Europian.

Seancat dëgjimore dhe intervistat e realizuara me persona të përfshirë në këtë çështje do të  botohen në Projektin “Dafne”, një bashkëpunim ndërkombëtar raportimi që përfshin Guardian, Forbidden Stories, Reuters dhe Times of Malta.

Raportuesi i EPP për Shqipërinë, përshëndeti përpjekjet për krijimin e një mekanizmi vetë-rregulluese për mediat online.

Duke përshkruar si një lajm të mirë arritjet e medias në luftën për vetë-rregullim, Lega përsëri kritikoi paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria.

“Sigurimi i lirisë së medias është jetik për demokracinë dhe i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në BE,” shkroi Lega në Twitter.

Në debatin për problemet e demokracisë në Shqipëri të mbajtur në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE në qershor, Lega deklaroi se qeveria Rama është duke qenë e lehtë me zotërinjtë e drogës dhe e ashpër me gazetarët.

Të Mërkurën, 16 anëtarë të Aleancës për Etikën e Mediave u takuan në Tiranë për të avancuar krijimin e kornizës vetë-rregulluese për mediat në internet.

Aleanca zgjodhi Bordin e Etikës: Dorian Matlija, avokat, Mark Marku, pedagog i gazetarisë dhe ekspert i etikës, Klodiana Kapo nga Faktoje.al, Alice Taylor nga Exit News dhe Lorin Kadiu nga Citizens-Channel.

Bordi do të shqyrtojë ankesat nga publiku në lidhje me përmbajtjen e mediave në internet dhe do t’i sigurojë këtij të fundit rekomandime.

Të gjithë anëtarët e aleancës do të duhet të shfaqin logon e saj në faqet e tyre të internetit. Duke klikuar mbi të, të gjithë lexuesit do të jenë në gjendje të paraqesin një ankesë në aleancë për një artikull specifik ose informacion të paraqitur në të.

Aleanca për Etikën e Mediave u krijua në Shkurt 2020 nga disa media që synojnë promovimin dhe sigurimin e standardeve etike në gazetari. Ajo erdhi si një përgjigje ndaj ligjeve të diskutueshme të qeverisë shqiptare kundër shpifjes.

Javët e fundit qeveria është përpjekur të kalojë disa ndryshime të cilat nuk pasqyrojnë mendimin e Komisionit të Venecias. Delegacioni i BE në Tiranë dhe Stefan Schenach, Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (si dhe një anëtar i Grupit Socialist) reaguan ashpër.

Opozita, Presidenti dhe shoqëria civile kanë denoncuar vazhdimisht ligjin qeveritar për mediat si një kërcënim për lirinë e medias.

Aleanca për Media Etike mbidhet për herë të dytë për përcaktimin e një mekanizmi vetërregullues

Tiranë më, 30 Shtator 2020


16 media anëtare të Aleancës për Media Etike u mblodhën ditën e sotme për të finalizuar procesin e vetërregullimit dhe përzgjedhjen e  grupit të Bordit të Etikës.

Gjatë këtij takimi u përzgjodh“Bordi i Etikës”, në përbërje të të cilit do të jenë personalitet  në fushën e gazetarisë, jurispudencës dhe shoqërisë civile të njohur për integritet profesional me propozim të anëtarëve të Aleancës, Këshillit Shqiptartë Medias si dhe Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Pesë anëtarët e propozuar janë: Dorian Matlija, avokat, Mark Marku, pedagog nga Departamenti i Gazetarisë dhe ekspert i etikës, Klodiana Kapo nga Faktoje.al, Alice Taylor nga Exit.al si dhe Lorin Kadiu nga Citizens-Channel.

Bordi, i votuar pa kundërshtime nga anëtarët e Aleancës, do të shqyrtojë ankesat e qytetarëve për mediat e Alencës dhe rekomandimet e veta do ia përcjellë medias përkatëse.

Çdo qytetar do të mund të ankohet për etikën e shkrimeve në mediat e Aleancës. Në takim u prezantua edhe logo “e cilësisë”, që do të simbolizojë angazhimin e anëtarëve të Aleancës për raportim cilësor, bazuar në kodin e etikës së gazetarit. Logoja do të jetë e klikueshme dhe do të vendoset në faqet e mediave anëtarëve të Aleancës, ku publiku do të mund të regjistrojë ankesa që lidhen me shkeljet e etikës ose dëmtimit për shkak të raportimit abuziv.

“Ne duhet t’i tregojmë publikut që kur sheh logon e aleancës e kupton që kjo media ka përgjegjshmëri etike, nuk është media pirate dhe është e hapur të presë ankesat e tyre.” – u shpreh Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias.

Ylli Rakipi  përfaqësues i Tpz.al sugjeroi se kjo nismë është shumë e mirë, por nuk konsiderohet si nismë e çuar deri në fund nëse nuk kthehet në kuadër ligjor. Sipas Rakipit “parlamenti shqiptar ose bashkësia ndërkombëtare duhet të detyrojnë autoritetet shqiptare që kjo të kthehet në ligj. Po nuk mori një fuqi ligjore kjo mbledhje nuk shon deri  në fund si nismë.” Gjykata shqiptare nuk e merr parasysh kodin e etikës së gazetarit në proceset gjyqësore që hapen ndaj gazetarëve.

Mark Marku  përfaqësues i Departamentit të Gazetarisë u shpreh se ky takim duhet të të shfrytëzohet si një mundësi, si një fazë e përafrimit të legjislacionit të medias, me legjislacionin europian.

“Kjo është një fazë parapregatitore që rrit fuqinë. Mendoj që  në një fazë më të largët mediat do të jenë të interesuara që të kenë një vulë etike, duan  garanci. Pra, vula etike do të shërbejë si një markë për mediat, portalet për të dalluar nga prodhuesit që nuk japin garanci për cilësinë e informacionit. Mendoj se do të funksionojë si organizim.”, u shpreh Mark Marku.

Sami Neza, drejtues i Dron.al, kërkoi që Aleanca të gjejë një zgjidhje për armatën e “trolls” dhe “boots” të cilët të paguar nga institucione të caktuara arrijnë të eleminojnë shkrime investigative nga FB ose mediat e tjera sociale. Valmora Gogo, përfaqësuese e Hashtag.al dhe Gogo.al kërkoi që Këshilli i Medias të monitorojë mediat e Aleancës e të bëjë publike kush janë shkelësit më të mëdhenj të etikës.  Alfred Lela, drejtues i Politiko.al kërkoi që Aleanca të ketë mbështetje maksimale nga institucionet Europiane.

Këshilli Shqiptar i Medias, njëkohësisht mbështetësi logjistik i Aleancës, ka në strategjinë e vet të gjejë zgjidhje për të gjitha këto probleme, një ndër të cilat është dhe shkelja e kopirajtit, që dëmton shumë punën e gazetarëve që lodhen për të krijuar përmbajtje cilësore.

Aktiviteti u organizua me mbështetjen  e  projektit  “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Evropën Jug-Lindore (JUFREX)” të zbatuar në kuadër të Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”.

Mediat anëtare të AME-s të bashkuara me iniciativën e KëshillitShqiptartë Medias janë:

 

  1. 27.al
  2. Citizens-Channel.com
  3. Dita.al
  4. Droni.al
  5. Dosja.al
  6. Exit.al
  7. Faktoje.com
  8. Gazeta-Shqip.com
  9. Hashtag.al
  10. Gogo.al
  11. Lapsi.al
  12. Mapo.al
  13. NOA.al
  14. Opinion.al
  15. ORA News
  16. ORA TV
  17. Politiko.al
  18. Shqiptarja.com
  19. Syri.net
  20. Report Tv
  21.  Gazeta Fjala
  22. TvT
  23. Tpz.al

 

 

 

 

Reagimi i Cukalit në emisionet “Për të fol” dhe “Ilva Now” mbi paketën anti-shpifje

Kryeatri i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali ka qenë i ftuar në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Për të fol nga gazetari Omer Saraçi ku është shprehur kundra paketës anti-shpifje.

“Qeveria kërkon kontroll mbi mediat sidomos kur priten zgjedhjet e afërta, mbas disa muajsh. Është shumë i nevojshëm kontrolli i narrativës së asaj që thuhet. Nëse ky ligj kalon tani dhunshëm, do jetë një mjet autocensure sepse askush nuk do shkruajë dot nga frika se do të marri 2-3 gjoba të cilat do e nxjerrin jashtë biznesit. Është një ligj totalisht regresiv dhe në momentin e gabuar.”,- tha Cukali.

Ai shtoi se në dijeninë e tij është një draft i cili mbahet i fshehur dhe është i konsultuar me Këshillin e Europës gjithashtu specifikoi se OSBE nuk është përfshirë në shqyrtimin e këtij drafti. Gjithashtu Cukali tha se ky ligj i heq të drejtën Gjykatës.

“Qëllimi i ligjit të parë, atë që kemi parë e jo draftin që nuk e dimë ç’është, ishte ky, që AMA merr vendim të ekzekutueshëm menjëherë dhe ti shkon në Gjykatë pas dy vjetësh por ty ndërkohë të kanë penalizuar dhe gjoba të është vjelur brenda tre ditësh nga përmbarimi”,- tha ai.

Pyetjes së gazetarit nëse mund të ketë një institucion tjetër jashtë gjykatës që mund të rregullojë këtë situatë Koloreto Cukali u përgjigj se vetërregullimi është mënyra më e mirë për zgjidhjen dhe se mediat anëtare të Aleancës për Media Etike përmes Këshillit po punojnë për të ndërtuar një mekanizëm vetërregullimi, i cili kërkon kohën e vet.

“Europa ja ka dhënë zgjidhjen, mënyra më e mirë është vetërregullimi. Një institucion, këshill ankësash por, jo i ngritur nga qeveria, as nga institucionet e qeverisë. Një institucion i ngritur nga vetë gazetarët i cili merr përsipër të zgjidhë të gjitha ankesat që qytetarët kanë me mediat përkatëse. A do të funksionojë kjo më së miri? A do t’i zgjidhë të gjithë problemet? Sigurisht që jo. Në Gjermani ka këshilla të medias të cilat kanë ngritur këto mekanizma, por kur palët nuk e gjejnë zgjidhjen në këto mekanizma vetërregullues fjalën përfundimtare do ta thotë vetëm gjykata. Ky ështe një institucion ndërmjetës për të zgjidhur probleme me mirëkuptim por, nëse palët nuk janë të bindura as te vendimet e këtyre institucioneve gjithmonë shkohet në gjykatë dhe ka gjithë instrumentat e duhur për të gjetur zgjidhjen e çfarëdolloj problemi. Ne po punojmë për të ndërtuar një mekanizëm të tillë. Kërkon pak kohë. Pandemia nuk na ndihmoi spese e gjithë jeta frenoi por, do ta marrim procesin në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit dhe do t’i ndërtojmë këto mekanizma edhe sikur qeveria të ngulmojë për ta miratuar ligjin me dhunë në parlament. Këto do të jenë mekanizma jetëgjatë, ai ligj nuk është jetëgjatë”, – u shpreh kryetari i Këshillit të Medias.

Koloreto ka mbajtur të njëjtin qëndrim rreth paktës anti-shpifje në emisionin “Ilva Now” nën drejtimin e gazetares Ilva Tare ku u ftua në lidhje të drejtpërdrejtë gjatë diskutimit me ekspertët e tjerë të medias.

Raportuesi i Lirisë së Medias në Këshillin e Europës kërkon nga qeveria shqiptare të heqë ligjin për mediat

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE)  i është bashkuar   zërave lokalë dhe ndërkombëtarë për lirinë e medias, duke i kërkuar  qeverisë shqiptare të heqë dorë nga  ligji “anti-shpifje”.

Stefan Schennach shprehu shqetësimin e tij serioz në lidhje me mundësinë që parlamenti mund të miratojë ndryshimet që do të synojnë dhe kufizojnë mediat në internet, pavarësisht nga “kritikat e ashpra ndërkombëtare” duke përfshirë atë të Komisionit të Venecias.

“Legjislacioni i propozuar nga Kryeministri shqiptar si një ‘paketë anti-shpifje’ synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet të urdhërojë mediat të heqin raportet e lajmeve për çështje të tilla si ‘cënimi i dinjitetit të individëve’, nën kërcënimin të gjobave të rënda. Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të kushteve të tij të gjera, ”tha relatori.

“Unë i referohem Opinionit të Komisionit të Venecias Nr. 980/2020 të datës 19 qershor 2020, i cili thotë qartë se ligji vuan nga paqartësia dhe do të ketë të ngjarë të ketë një” efekt ftohës “, duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalën politike në sektorin shqiptar të internet. Unë ndaj mendimin e Komisionit të Venecias se teksti i projekt-amendamenteve, nëse nuk rishikohet shumë, rrezikon t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi lirisë së shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet, ”shtoi Z. Schennach.

“Prandaj, unë e nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin,” përfundoi raportuesi.

Ambasadoret e vendeve Europiane reagojnë për ligjin e medias online

Ambasadorja e Suedisë dhe ambasadorja e Holandës në Shqipëri kënë shprehur mbështetjen e tyre për lirinë e shprehjes  në rrjete sociale në lidhje me lajmin se qeveria nuk i merr në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje.

Dje ambasadori i BE-së, Luigi Soreca përsëriti se çdo ndryshim në ligj duhet të jetë në përputhje me Komisionin. Ai inkurajoi qeverinë të ndërmarrë konsultime të duhura me organizatat e medias dhe shoqërinë civile si dhe organizatat e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare. Soreca arriti në përfundimin se BE do të vëzhgojë për të siguruar që ajo të jetë në përputhje me standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.

Këtë postim e rishpërndau në twitter ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad me mbishkrimin ” është vendimtare për demokracinë që të ketë një media të pavarur dhe të fortë ”

Të njëjtë gjë bëri  dhe ambasadorja holandeze, Guusj Korthals Altes e cila shkroi se elemente thelbësore për një demokraci të shëndetshme janë një shoqëri  civile e fortë dhe një media e pavarur.

Këmbëngulja e qeverisë shqiptare për të zbatuar ligjin e medias mund të rrezikojë aspiratat e saj për intergiminnë BE. Komisioni Evropian deklaroi se “ndryshimi i ligjit për media në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias” mbetet një përparësi e rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve të pranimit.

 

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shprehet kundër ligjit Anti-shpifje

Rreti i Gazetarëve të Sigurt ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me planet e qeverisë për miratimin e ligjit kontravers “paketa anti-shpifje” pa marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt është platformë rajonale e cila përfaqëson më shumë se 8200 media profesioniste në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërkohë që është e rëndësishme të adresosh problemet e gjuhës së urrejtjes, shpifjes, dizinformimit dhe fenomene të tjera të ngjashme që u atribuohen medias online. Kjo duhet bërë duke u konsultutar me aktorët dhe me pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe organizatave të medias, tha Blerjana Bino nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt. Vetë-rregullimi është i rëndësishëm si dhe mbështetja e profesionalizmit dhe lirisë së medias.

Sipas Binos nëse qeveria është e vendosur të miratojë ligjin e medias atëherë ajo do të duhet të duhet të përballet me një pjesë të vogël të opozitës të ngelur në Kuvend pasi aktualisht Parlamenti është me një parti.

Që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë i paketës Anti-shpifje u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime  madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias për organizatat shqiptare të medias si dhe ato të huaja.