KSHM mori pjesë në diskutimin mbi qëndrushmërinë e shërbimit nukjevetëm.al

Këtë të enjte Këshilli i Medias u ftua të merrte pjesë në tryezën e rrumbullakët e organizuar nga Fondacioni Together Albania  me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. Në tryezën e zhvilluar u diskutua mbi veprimet e mundshme të qëndrueshmërisë për platformën eCounselling www.nukjevetem.al si ofruesi i platformës së parë në internet për shëndetit mendor në Shqipëri, e themeluar në vitin 2015, e cila ka siguruar gjithnjë e më shumë mbështetje të shëndetit mendor për mijëra të rinj dhe të rritur shqiptarë.

Platforma ka ardhur duke iu përshtatur kërkesës në rritje, në përgjigje të plotësimit të nevojave për mbështetje të përdoruesve të saj. Një element kryesor për suksesin e këtij modeli është disponueshmëria e shërbimeve që mbështesin individë të prekur, veçanërisht ata që përballen me shumë pengesa në shërbimet e mbështetjes së shëndetit mendor. Ky ishte rasti gjatë vitit të kaluar i dominuar nga pandemia Covid-19 kur kërkesat për mbështetje të shëndetit mendor në www.nukjevetem.al arritën kulmin.

https://www.nukjevetem.al/

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i shkurtër i veprimtarisë dhe gjetjeve të platformës, duke u përqendruar në periudhën pandemike Covid-19. Pjesëmarrësit paraqitën shkurtimisht çështje për përfitimet e platformës për përfituesit (të rinjtë, të rriturit, prindërit dhe grupet e tjera të prekshme) si dhe palët e interesuara të qeverisë dhe shoqërisë civile, duke paraqitur perspektiva të ndryshme se pse dhe si është www.nukjevetem.al e dobishme dhe relevante.

Më tej, kjo tryezë e rrumbullakët qe një mundësi e shkëlqyer për të filluar procesin e nxitjes së marrëdhënieve të reja midis platformës dhe aktorëve përkatës, duke diskutuar mundësinë e partneriteteve në të ardhmen dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për rolet dhe përgjegjësitë e ofrimit të shërbimit të shëndetit mendor për të rinjtë shqiptarë.

 

KSHM/ Studim për standartet dhe cilësinë e informimit të qytetarëve në Shqipëri në periudhën COVID-19

Gazetarët shqiptarë gjatë periudhës së shpallur nga qeveria shqiptare nga 9 marsi deri me 31 maj 2020, përveç rreziqeve për jetën dhe vështirësive ekonomike u përballën me vështirësi që ndikuan në cilësinë, paanshmërinë dhe saktësinë e raportimit.

Studimi i organizuar nga Këshilli Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, kishte si objekt të monitoronte dhe analizonte cilësinë dhe standardet e informimit të mediave shqiptare përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Mediat e zgjedhura për monitorim ishin kanalet kombëtare dhe kanalet kryesore me informacion të pandërprerë si dhe disa nga portalet kryesore. Pikërisht këto media  mbajtën edhe peshën kryesore të informimit të publikut gjatë pandemisë së koronavirusit.

U mblodhën të dhëna që na bënë të mundur të verifikonin kapacitetin e saj për të prodhuar në kohën e COVID-19 përmbajtje të ndryshme nga ato që prodhojnë burimet zyrtare si insitucionet qeveritare dhe publike, aftësinë për t’i verifikuar burimet zyrtare dhe ballafaqimin e tyre me burime alternative, saktësinë e informacionit të prodhuar nga kanalet televizive, pavarësinë ose varësinë e këtyre mediave nga politika, etj.

Nga të dhënat e mbledhura janë analizuar  gjithashtu edhe dy dukuri shumë të diskutuara për median shqiptare (të pranishme edhe para pandemisë).

E para, problemi i shndërrimit të mediave shqiptare në riprodhuese të përmbajtjeve të emetuara nga zyrat e PR-it të kryeministrit, të partive politike dhe institucioneve.

Nga ana tjetër, përmes të dhënave të nxjerra nga monitorimi krijohet edhe një përceptim për marrëdhënien e mediave tradicionale apo të reja me mediat sociale, marrëdhënie që e ka transformuar totalisht marrëdhënien e qytetarit modern me median.

Problemi ishte të dalloje dukuritë normale mediatike në një gjendje anormale, pra dukuritë mediatike universalisht të shfaqura në të gjitha sistemet demokratike gjatë pandemisë, nga dukuritë specifikisht shqiptare, domethënë përpjekjet që u bënë në sistemet demokratike hibride për t’i përdorur sistemet mediatike në funksion të kontrollit të informacionit nga ana e qeverive dhe në rastet më ekstreme të përdorimit të mediave për manipulimin e opinionit publik.

Lajmi si gjini informative qëndron në disa themele si paanshmëria, saktësia, ndershmëria. Pikërisht këto standarte të gazetarisë u goditën rëndë gjatë pandemisë së COVID-19. Për të lexuar studimin e plotë kliko Raport studimor Mediat dhe informimi i qytetarëve në kohën e koronavirusit.

*Studim për standartet dhe cilësinë e informimit të qytetarëve në Shqipëri në periudhën 9 mars – 31 Maj 2020, nga kanalet televizive të vendit dhe portalet kryesore shqiptare në Web realizuar nga Këshilli Shqiptar i Medias, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Shqipëri.

Drejtues shkencorë dhe hartues të raportit përfundimtar: Prof. Assoc. Dr. Mark Marku Prof. Dr. Akademik Artan Fuga

Grupi i monitorimit: Lorena Memo, Klaudia Muçollari, Enxhi Sula

Viti 2020 ka qenë një vit sfidues për gazetarët në Shqipëri

Nga Loneta Progni

Viti 2020 ka qenë një vit sfidues për gazetarët në Shqipëri, që përveç pandemisë janë përballur edhe me sulme të formave të ndryshme. Fillimisht, kundrejt gazetarëve janë përdorur një varg fjalësh ofenduese nga vetë kryeministri Edi Rama, si: kazanë, kadrinj, derra, zuzarë, të palexuar, dembelë, gënjeshtarë, parazitë, etj. Drejtëpërdrejtë janë sulmuar të paktën 12 gazetarë, me shoqërime në komisariat në momentin që ishin duke kryer punën e tyre, janë dhunuar, iu kanë sulmuar banësat apo automjetet, etj. Ngjarje këto që kanë nxitur edhe reagime ndërkombëtare nga Reporterët pa Kufij, Mapping Media Freedom, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, etj.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare e kanë kritikuar shumë Shqipërinë gjatë viteve të fundit, lidhur me lirinë e medias dhe marrëdhëniet e autoriteteve në raport me gazetarët. Më poshtë po sjellim në vëmendje gazetarët që janë ndaluar, sulmuar, dhunuar gjatë vitit që lamë pas.

Mbrëmjen e 10 dhjetorit, në ditën e dytë të protestave pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i Shqiponjave, gazetari i Ora News, Xhoi Malësia është ndaluar nga policia ndërkohë që ishte në transmetim live. Gazetari ka denoncuar edhe dhunën e ushtruar ndaj tij në komisariat. “Reporterët pa Kufij” lidhur me këtë rast bënë thirrje për hetim të pavarur të sjelljes abuzive të policisë.

Ndjesia e ndalimit për mua ishte eksperiencë e paprecedentë, qoftë si gazetar apo njeri i thjeshtë. Ishte një gabim i madh në të gjitha aspektet e mundshme procedurale; një veprim tejet i rëndë në qasjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Çështja ime po përfaqësohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Aktualisht por përballemi në disa “fronte” të drejtësisë. Së pari, kemi bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, ku pretendojmë se gjatë gjithë incidentit janë konsumuar disa vepra penale. Ndër më kryesoret “shpërdorimi i detyrës” dhe “heqja ose pengimi i paligjshëm i lirisë”. Së dyti, po përballemi në nivel administrativ pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (ShÇBA) pranë Policisë së Shtetit. Aty pretendojmë për shkelje procedurale nga efektivët e policisë. Dhe së treti, pas konkludimit të këtyre dy hapave, do të ngremë një padi civile ku do të pretendojmë për dëm civil dhe moral. Hapi i katërt, nëse drejtësia jonë nuk do të japë një përgjigje që ne e konsiderojmë të nevojshme, do të jetë padia në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut). Ky institucion ka trajtuar raste të ngjashme dhe ka precedent të mjaftueshëm për trajtimin e çështjes sime.”, shprehet Malësia.

Një tjetër akt dhune gjatë protestave të dhjetorit u krye nga policia ndaj gazetarit dhe kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani. Agresioni ndaj Xhanit është bërë, ndërsa ai po bënte punën e tij si gazetar fare pranë redaksisë së tij. Arrestimi, prangosja e keqtrajtimi i Xhanit është dënuar edhe nga Këshilli Shqiptar i Medias si një sinjal shqetësues që policia tashmë nuk respekton asnjë standard demokratik, ku ai bazë, është lejimi i raportimit të lirë nga terreni dhe mos-ngacmimi i gazetarëve në krye të detyrës.

Mëngjesi i datës 30 tetor 2020 shënoi një tjetër ngjarje tronditëse, pasi një sasi lëndë plasëse shpërtheu në portën e oborrit të shtëpisë së gazetarit të Neës 24 në Lezhë, Elidon Ndreka. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndreka e lidh ngjarjen me detyrën që ushtron prej vitesh si gazetar terreni, pasi thekson se ai dhe familjarët nuk kanë konflikte personale.

Më 14 gusht 2020, Ora Neës publikon mesazhet, që sipas tyre, ishin dërguar në telefonin e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ajo që bie në sy në këto mesazhe janë ofendimet dhe kërcënimet e vazhdueshme për gazetaren dhe drejtoreshën e atëhershme të informacionit në këtë televizion, Beti Njuma. “Nuk ia fal asaj, këtu do jemi.” “Unë bashkëpunoj me ty, jo me atë idioten që ke marrë.” “Lejove një hajvane të futej mes nesh.” “Shumë kurajo paska.” Këto janë vetëm disa nga mesazhet ku shfaqej emri i gazetarës, e ndër të tjera bëhej presion për të ndryshuar linjën editorial.

Më 17 qershor 2020, gazetari i Report TV, Elvis Hila është shoqëruar nga policia në momentin që ishte duke raportuar për aksionin e IKMT në Shëngjin, ku u prishën disa ndërtime pa leje. Gazetari denoncoi se shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë, Agron Qullhaje i ka marrë telefonin dhe policët e kanë shoqëruar me forcë në komisariat. Sipas Hilës, shefi i rendit Agron Qullhaje i ka kontrolluar telefonin gazetarit, duke cënuar privatësinë e tij.

17 maji 2020, pas shembjes së Teatrit Kombëtar, shënoi dhe një tjetër moment i cili ngjalli reagime të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj: dhuna ndaj gazetarit Alfred Lela. Videot që qarkulluan në mediat tradicionale dhe ato online treguan qartë dhunimin dhe shoqërimin e gazetarit.

‘Mapping Media Freedom’ që ka më fokur kufizimet, kërcënimet dhe shkeljet që prekin profesionistët e mediave në Europë, ndërsa ata bëjnë punën e tyre, ka pasqyruar arrestimin e drejtuesit të Politiko.al, Alfred Lela gjatë protestës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Përmes këtij reagimi dënoi arrestimin dhe bëri thirrje për falje publike. Reagime të ngjashme postuan edhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe shumë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mohoi publikisht dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarit.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar u regjistruan episode dhune dhe ofendimesh edhe ndaj reporterëve dhe operatorëve në terren, mes të cilëve edhe operatori Mirsald Hajdarmataj i Report TV, i cili u godit dhe fye rëndë prej policëve.

Më 25 prill 2020, efektivi i rrugores që më pas u pezullua nga detyra Anxhelo Bardhi, i shoqëruar nga një i shok i tij, dhunoi gazetarin e Fierit Xhoen Osmënaj, duke i dëmtuar edhe makinën.

10 marsi 2020 shënoi një tjetër shoqërim arbitrar për në komisariat nga ana e policisë ndaj gazetarit të Fax News Bekim Bici. Qendra europiane për lirinë e shtypit dhe të medias reagoi për shoqërimin e paligjshëm të gazetarit Bekim Bici, duke kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare. Po ashtu edhe Instituti Ndërkombëtar i Medias me qendër në Vjene iu bashkua këtij reagimi. Ndërsa më 14 janar 2020 është sulmuar qëllimisht makina e gazetarit të Lezhës, Gjergj Figuri.

A do të jetë viti 2021 fundi i pandemisë dhe gjithashtu i cënimit të lirisë së fjalës?

DASHURIA ËSHTË NJË ALTERNATIVË NDAJ URREJTJES: BLLOKOJE URREJTJEN, SHPËRNDAJE DASHURINË!

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nisin një fushatë të re që ka për qëllim luftimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkanin Perëndimor

15 Dhjetor 2020 – Gjuha e urrejtjes është në rritje në mbarë Evropën, duke vendosur në rrezik kohezionin shoqëror si dhe po cënon të drejtat e njeriut. Në Ballkanin Perëndimor, gjuha e urrejtjes shënjestron veçanërisht grupet vulnerabël, të cilat janë prekur edhe më parë nga stigmatizimet dhe diskriminimi, përgjatë periudhës së pandemisë të COVID-19. Për të luftuar këtë fenomen, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nisën sot një fushatë të re për Ballkanin Perëndimor – “Bllokoje Urrejtjen. Shpërndarje Dashurinë.”

Duke konsideruar situatën epidemiologjike, fushata do të mbahet tërësisht online përmes faqeve të dedikuara në Facebook, Instagram and Twitter: “Bllokoje Urrejtjen. Shpërndaje Dashurinë.” dhe do të shtrihet përgjatë viteve të ardhshme. Aktivistët e shoqërisë civile, gazetarë, studentë dhe të gjithë ata të cilët mendojnë se dashuria mund të fitojë mbi urrejtjen, i ftojmë të bëhen pjesë të kësaj fushate duke ndjekur dhe shpërndarë postimet, duke përdorur mesazhet e tyre në përgjigje ndaj formave të ndryshme të urrejtjes që prekin jetën e tyre private ose në komunitet si dhe jetën e familjarëve të tyre, miqve apo dhe individëve të tjerë.

Jo vetëm institucionet, por dhe njerëzit, çdokush dhe secili individ, duhet të jenë gati për të reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes. Sot, iu bashkova fushatës për të thënë “BLLOKOJE URREJTJEN, SHPËRNDAJE DASHURINË” dhe ju ftoj edhe ju të bashkoheni. Na u bashkoni dhe ndiqeni fushatën në vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme”, tha Shefja i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Këshillin e Evropës, Meglena Kuneva.

Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme së Programeve të Zyrës së Këshillit të Evropës, Verena Taylor, shtoi: “Organi ynë kundër diskriminimit, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës, ka zhvilluar udhëzime të qarta për shtetet dhe shoqërinë civile rreth mënyrës së si duhet trajtuar gjuha e urrejtjes. Një mjet i dukshëm dhe i fuqishëm është fushata e Aleancës Kundër Urrejtjes, iniciativë e sjellë në kuadrin e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. I ftojmë të gjithë t’i bashkohen lëvizjes mbarë Evropiane kundër gjuhës së urrejtjes dhe të mbajnë një qëndrim të dukshëm për diversitetin dhe barazinë”.

Ambasadorët kundër Gjuhës së Urrejtjes, personalitete publike të famshëm nga Ballkani Perëndimor, të cilët dolën hapur në mbështetje të thirrjes së  kësaj lëvizjeje kundër gjuhës së urrjejtjes, do të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë fushatë.

Video dhe materiale të tjera mund të gjenden në kanalet e mediave sociale të fushatës si dhe në faqen e internetit të programit të Instrumentit Horizontal.

Fushata zbatohet nën projektin mbi “Promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Ballkanin Perëndimor, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “ Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, i zbatuar nga Departamenti i Antidiskriminimit i Këshillit të Evropës.

***

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal II) është një nisëm bashkëpunimi e ndërmarrë nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Programi mbështet procese reforme të përshtatura dhe të dakordësuara me autoritetet, në përputhje me rekomandimet përkatëse të organeve këshilluese dhe vëzhguese të Këshillit të Evropës në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. 

Programi mundëson që përfituesit të përmbushin agjendat e reformave përkatëse dhe standardet Evropiane, përfshirë standardet e rëndësishme në kuadrin e procesit të zgjerimit të BE-së. Ofrohet një mbështetje e përshtatur dhe e drejtuar nga kërkesat për përmirësimin e kuadrit politik dhe kuadrit ligjor si dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale, dhe forcimin e funksionimit të institucioneve. Programi ka për qëllim të sjellë përmirësime themelore drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve përmes zbatimit të projekteve të tij.

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR SHTYP E ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE

Tiranë, më 16.12.2020

  1. Shqipëria ka nevojë për reagime qytetare sa herë cënohen të drejtat e njeriut, sa herë autoritetet ndërmarrin akte kundër tyre dhe sa herë liritë tona kushtetuese e ligjore vihen në diskutim apo sprovë. Protesta në demokraci është instrument i pazëvendësueshëm dhe ne duhet ti shprehim mirënjohjen çdo qytetari të ndërgjegjshëm që e përdor këtë instrument në funksion të mbrojtjes së dëmokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njëriut. Edhe pse Ministri i Brendshëm ka dhënë dorëheqjen, protestat nuk janë ndalur dhe aktet e dhunës ndaj infastrukturës publike po ashtu, të cilat i përkasin kryesisht moshave të reja. Protëstat paqësore dhe demokratike janë shoqëruar edhe me akte të veçuara që tejkalojnë të drejtën e protestës, pasojë e situatës kaotike apo e ndikimeve të tjera. Por në thelbin e tyre, protestat i janë përmbajtur praktikave të njohura perëndimore të protestës, në kushtet e mospasjes së një organizatori të qartë dhe koordinimi midis tyre. Përveç shtrirjes në qytetet kryesore të vendit të këtyre protestave konstatohet një reagim disproporcional i organeve të rendit, e shprehur në përdorimin në të gjitha rastet (të paktën në Tiranë) e gazit lotsjellës, numrin shumë të lartë të arrëstimeve pas çdo proteste, mbajtën në komisariatet e policisë e një numri shumë të madh të shoqëruarish dhe të ndaluarish përtej kapaciteteve të këtyre institucioneve duke rrezikuar dukshëm përhapjen e Covid-19 ndërmjet tyre; ushtrimin e dhunës fizike dhe psiqike ndaj protestuesve të shoqëruar, mosnjoftimin e prindërve/kujdestarëve për të shoqëruarit minorenë, marrjen e deklarimeve nga këta të fundit pa praninë e prindërve edhe/osë të avokatit, pengimin e mas-medias për të përmbushur detyrën e vet për informim dhe transparencë, etj.

 

  1. Problematika e kërkesave të protestuesve, përveç dorëheqjes së kërkuar dhe realizuar për Ministrin e Brendshëm përfshin edhe kërkesën për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në disa rastë është kërkuar edhe dorëheqja e Kryeministrit Rama.

 

  1. Deri më tani, pavarësisht akuzave të qeverisë ndaj opozitës për nxitje dhe financim të këtyre protestave dhe hedhjes poshtë nga këta të fundit të këtyre akuzave si përpjekje për politzimin e protestave që dukshëm janë drejtuar kundër qeverisë dhe kanë të bëjnë me situatën e përgjitshme social-ekonomike që po kalon vendi, nuk është shfaqur ndonjë grupim i qartë apo organizim drejtues i tyre. Drejtimi dhe bashkërendimi i kohës së protestave dhe shtrirjes së tyre është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe informimit mediatik. Vlen të vihet në dukje se televizionet kombëtare, duke filluar me radio-televizionin publik kanë qëndruar indiferent dhe nuk kanë mbuluar në kohë reale asnjë prej protestave të derisotme.

 

  1. Shqetësim paraqet qëndrimi mohues i qeverisë për problematikën serioze që shprehin protestuesit, sidmos ajo pjesë që duke qenë me moshë të re nuk janë votues të ndonjë force politike të caktuar, por që janë përfaqësues të një brezi që kërkon një Shqipëri të jëtushme, dmth që qeveriset më mirë, që krijon mundësi shkollimi dhe punësimi në vend, pa patur nevojën e marrjes së rrugëve të botës… Po kështu, një shqetësim serioz, madje edhe ndërkombëtar përbën brutaliteti i policisë ndaj gazetarëve që në mjaft raste janë penguar në ushtrimin e detyrës së tyre, deri edhe janë ndaluar forcërisht nga forcat e rendit.

 

  1. Si organizata të shoqërisë civile, ne apelojmë fuqimisht institucionet përgjegjëse: qeverinë, Kuvendin e Shqipërisë, mas-median publike e kombëtarë si dhe organet e rendit publik dhe ato të drejtësisë për respektim rigoroz të ligjit, maturi dhe vetë-përmbajtje në ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve, debat të shëndetshëm publik rreth problemeve jetësore që lidhen me vetë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë që artikulojnë protestuesit; për respektimin rigoroz të kuadrit ligjor në fuqi për të drejtat e njeriut duke filluar me të drejtën e jetës dhe duke përfshirë edhe konventat ndërkombëtare sidomos ato për mbrojtjen e fëmijëve dhe lirinë e mas-medias; për vëndim-marrje transparencë të mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe ligjet në fuqi dhe jo nën presion politik për të qetësuar në mënyrë arbitrare situatën e krijuar nga protestat; për transparencë dhe komunikim profesional me publikun duke iu përgjigjur interesimit të natyrshëm në rritje të qytetarëve për fatin e rinisë si e ardhmja e vendit.

 

  1. Duke mbështetur pa rezerva të drejtën legjitime për protesta paqësore të secilit qytetar të Republikës së Shqipërisë, ne vlerësojmë se çështjet e ngritura nga një javë protesta rinore në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit mund të duhet të shndërrohen në subjekte të debatit politik, publik dhe elektoral për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, me synim që të përfshihen për zgjidhje në programet elektorale të partive politike garuesë në atë proces zgjedhor.

 

Lista e organizatave:

  • Civil Rights Defenders
  • Instituti i Studimeve Politike
  • Keshilli Shqiptar i Medias
  • Levizja Rinore Egjiptiane Rome
  • Minority Right’s activist
  • Qendra “Gratë në Shërbim Publik”/ WPS Albania
  • Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri
  • Qendra Res Publica
  • Qendra Shqiptare per Kerkime Ekonomike
  • Qendra TREJA
  • Aleanca LGBT
  • Qendra Zeri Integrimit
  • Rrjeti i Profesionisteve te Rinj
  • Useful to Albanian Women
  • Shoqata “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” Ksamil

SafeJournalists reagon me shqetësim për presionin e vazhdueshëm kundër medias në Shqipëri

Në javët e fundit, disa raste kanë qenë kërcënim i lirisë së punës së gazetarëve në Shqipëri përmes rritjes së numrit të padive kundër tyre, veçanërisht gazetarëve investigativ. SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) po bëhen gjithnjë më të shpeshta në panoramën e medias shqiptare si një mekanizëm i censurës, intimidimi ose heshtja e medias së pavarur, gazetarëve investigativ dhe kritikëve duke i ngarkuar me kostot e mbrojtjes ligjore deri në momentin që heqin dorë nga opozitarizmi ose kritika e tyre. Vetëm në muajin dhjetor 2020 në Shqipëri janë bërë tri çështje të SLAPP që çojnë në përkeqësojnë lirinë e medias.

Rastet SLAPP e dhjetorit lidhen me qeverinë shqiptare, bashkëpunimin publik-privat në lidhje me inceneratorët në Elbasan. Në javën e parë të dhjetorit, BIRN Albania u padit për artikujt e tij rreth marrëveshjes së inceneratorëve që pati publikuar. Rasti i dytë i SLAPP është padia kundër Artan Ramës, gazetar investigativ i cili ka publikuar një shkrim më 6 nëntor 2020 linku i artikullit. Më herët, shefi i kabinetit në ministrinë e Mbrojtjes ka paditur gazetarin Juli Ristani, i cili publikoi në gazetën Shqip një investigim për marrjen e bursave të studimeve mjekësore ushtatake në Greqi të ofruara nga NATO.

BIRN Albania qëndron në mbështetjen e gazetarit dhe tha se janë të gatshëm të luftojnë në gjykatë për çështjen. Procesi gjyqësor erdhi pasi BIRN Albania publikoi një artikull rreth inceneratorëve. “Procedimi gjyqësor është i pabazë dhe synon të frikësojë gazetarët nëpërmjet procesevee të gjata gjyqësore dhe të kushtueshme që i bëjnë ata të ngurrojnë për të raportuar,” u shpreh për Citizens Channel drejtoresha ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko. I pyetur nga BIRN Albania, Artan Rama u shpreh se i qëndron deri në funs shkrimit të publikuar dhe do ta mbrojë në gjykatë. “Unë mendoj se ka dy qëllime. Së pari, një përpjekje nga kompania për të paraqitur një imazh pozitiv për publikun, si duke kaluar çështjen në një gjykatë me shpresë se ajo mund të përcjellë publikisht, a priori, idenë që ka një padrejtësi i është bërë asaj dhe së dyti, një kërcënim për çdo gazetar të përfshirë në raportimin e kontratave të koncesionit të partneritetit publik-privat, duke përfshirë këto kompani,” tha Rama për Citizens Channel.

Ekspertët e medias, organizatat e shoqërisë civile dhe organizata të tjera të pavarura të mediave kanë reaguar, duke theksuar se këto procese gjyqësore kanë pak bazë ligjore por po përdoren si një mekanizëm për të frikësuar dhe censuruar hetimin e korrupsionit.

Blerjana Bino, kërkuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt vë në dukje se “Në Shqipëri ne po dëshmojmë përpjekje të vazhdueshme për të goditur median e lirë siç janë rastet e SLAPP kundër gazetarëve investigativ dhe rritje të penaliteteve kriminale kundër shpifjes. Së fundmi, një dokument i Ministrisë dë Drejtësisë i cili rrodhi në media tregon përpjekjet e Qeverisë për të ngushtuar më tepër penalitetet për shpifjen, e cila tashmë është vepër penale në Shqipëri në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Kështu, pak media të pavarura në vend përballen me presione, kërcënime dhe kërcënime në mënyra të ndryshme dhe që kanë nevojë për mbështetje për të kundërshtuar pushtetin abuziv.”

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidatitet me kolegët shqiptar dhe shpreh shqetësimin rreth praktikave gjyqësote të pafavorizuezhme ndaj medias. Gjithashtu Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënon përpjekjet e Qeverisë për rregullime paraprake shtrënguese duke rritur dënimet për shpifje dhe duke dënuar në punën e pavarur të medias.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik të qttetarëve, demokracisë dhe të drejtave.

Shkup – Beograd – Podgorica – Prishtina – Sarajevë – Zagreb, 11.12.2020.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Reagim ndaj dhunës policore kundër gazetarit së Ora News, Xhoi Malësia

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim për sjelljen e Policisë së Shtetit kundër gazetareve e gazetarëve duke penguar ushtrimit të profesionit të tyre gjatë protestave.

Ne dënojmë rastin më të fundit, të ndodhur ditën e djeshme ndaj gazetarit të Ora News, Xhoi Malësia.
Xhoi Malësia ka qenë duke transmetuar drejtpërdrejt pamjet nga zona e “21 Dhjetorit”, kur policia nisi arrestimet duke urdhëruar “fikni kamerat” dhe duke e tërhequr zvarrë gazetarin pa marrë parasysh thirrjet e tij “jam gazetar”, ndërkohë duke mospranuar shqyrtimin e mjetit të tij të identifikimit.

KSHM shpreh solidaritetin me gazetarin Malësia dhe me tërë gazetarët e tjerë që janë bërë objekt sulmi kohët e fundit, shpesh për shkak të qëndrimeve të tyre kritike apo gjatë kryerjes së detyrës së tyre siç është informimi i publikut.

Ne kërkojmë që Policia Shtetit, së bashku me Komisariatin numër 2, të kërkojnë ndjesë publike për këtë rast dhe të edukojnë trupat e veta me standardet demokratike ku media ka të drejtën kushtetuese të jetë në vend ngjarje për të informuar publikun. Arrestimi, ndalimi e shoqërimi i gazetarëve që po bëjnë punën e tyre është antikushtetues dhe dhunë e drejtpërdrejtë mbi lirinë e shprehjes. Gjithashtu kërkojmë që të identifikohen e të vihen para përgjegjësisë efektivët që dhunuan dhe penguan gazetarin Malësia të kryejë detyrën.

Këshilli Shqiptar i Medias pajis me maska dhe dezinfektantë mediat anëtare të Aleancës për Media Etike

Pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë ku një ndër më të goditurat është dhe media.

Nga shpërndarja e maskave e dezinfektantëve tek ambientet e Ora News

Gazetarët janë të rrezikuar nga infektimi me COVID-19 prej ekspozimit gjatë punës së tyre të përditshme.

Nga shpërndarja e maskave e dezinfektantëve tek redaksia e Politiko.al

Falë një fondi dhuratë nga Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Këshilli Shqiptar i Medias nisi shpërndarjen e maskave dhe desinfektantëve për gazetarët gjatë javës së parë të dhjetorit.

Përfitues ishin mediat partnere dhe mediat anëtare të Aleancës për Gazetarinë Etike, si Citizens-channel.com, Gazeta Dita, Droni.al, Dosja.al, Exit.al, Faktoje.al, Gazeta Shqip, Lapsi.al, Mapo.al, Opinion.al, Ora News, Ora Tv, Politiko.al, Birn, Syri.net, Noa.al, 27.al, TVT, Tpz.al.

 

KSHM bashkëpunon me Exit.al në konferencën e zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Botërore të Lirisë së Shtypit

Exit.al në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Medias dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit organizuan më 3 dhjetor 2020 një konferencë në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit 2020. Konferenca u zhvillua online dhe mblodhi së bashku në panel ekspertë dhe mbrojtës të lirisë së medias Shqiptare.

Temë e diskutimit ishte çështja e vetërregullimit të peizazhit mediatik në Shqipëri e cila ka dominuar gjatë dy viteve të fundit dhe rëndësia e pasojave nëse puna e gazetarëve online bie nën përgjegjësinë e shtetit.

Paneli përbëhej nga gazetarja Alice Taylor, Redaktore e Përgjithshme e Exit.al dhe anëtare e bordit të Aleancës për Media Etike, Koloreto Cukali, Drejtor i Këshillit Shqiptar të Medias, Rezearta Caushaj Gazetare Investigative në Exit.al, dhe Drejtorja Ekzekutive  e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj. Konferenca u moderua nga Neritan Sejamini, bashkëthemelues i Exit, analist politik dhe gazetar.

Kam dëshmuar përpjekjet e Koloretos nga Këshilli Shqiptar i Medias që nga ideja deri në krijimin e procesit të vetërregullimit si dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë këmbënguljen e tij për të bërë bashkë shumë individë dhe pesonalitet në këtë mënyrë të re të vetërregullimit që do të bashkojë më shumë media në të ardhmen, tha bashkëthemeluesi i Exit.al, Neritan Sejamini.

Panelistët ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat e tyre personale që kanë hasur gjatë punës së tyre. Në diskutim u bënë pjesë dhe disa mini sondazhe të cilat u plotësuan herë pas here nga të pranishmit.

Sfidat që kam hasur gjatë punës sime si gazetare në Shqipëri dhe qëndrimi në Shqipëri përgjithësisht. Gjithë kërcënimet që kam marrë gjatë punës sime mu dukën reale dhe për një kohë të gjatë besoja se nuk kisha fuqinë ta përballoja e të vazhdoja. Sic ju e dini në 2 mars të 2019  u përhapë lajme të rreme nga shumë media që janë të lidhura me pushtetin se unë isha një spiune e ruse në Shqipëri e që synoja të destabilizoja rendin dhe qetësinë në vend. U sulmua dhe bashkëshorti im, si dhe stafi i medias ku unë punoj exit.al. Përveç fushatës njollosëse ndaj reputacionit tim problem tjetër që pata ishte se gjatë asaj kohe unë ishta 6 muajshe shtatzënë dhe po e përjetoja shumë keq. 3-4 ditë pasi filloi  fushata shpifëse ndaj meje filloi dhe problemi me lejeqendrimit tim në Shqipëri. Ishte shkatërruese, të gjithë njerëzit pranë meje, familja ime po vuanin, u shpreh Alice Taylor, Redaktore e Përgjithshme e Exit.al.

Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë të Holandës në Shqipëri, Komitetit të Helsinkit dhe UNESCO-s. Videon e plotë të konferencës mund ta gjeni këtu . Kjo video do të editohet në një sekuencë 7 minutëshe e cila do të jepet në konferencën Lirisë së Shtypit Botëror nga UNESCO-s më 9-10 dhjetor 2020.

 

 

Reagim mbi shpërthimin përpara shtëpisë së gazetarit Elidon Ndreka

KSHM i bashkohet shqetësimit të organizatave të gazetarëve për sulmin me tritol në banesën e gazetarit Eldion Ndreka, ndërsa familja e tij ishte akoma në shtëpi.
Ky akt tregon dhe një herë rreziqet e të qenit gazetar në Shqipëri në këtë kohë. KSHM i kërkon organeve të hetimit të mos e lënë dhe këtë akt të kalojë pa u gjetur përgjegjësia dhe pa u ndëshkuar agresorët.

Një eksploziv shpërtheu më 30zezpr 2020 në derën e përparme të shtëpisë së Elidon Ndrekës, reporter lokal dhe gazetar televizionit News24. Në momentin e shpërthimit Ndreka gjendej  brenda ambienteve të shtëpisë  bashkë me prindërit, gruaja dhe dy vajzat e tij. Fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person duke dalë nga një makinë, duke vendosur eksplozivin dhe duke u larguar me shpejtësi nga vendi. Policia dhe njësia hetimore ishin në vendin e ngjarjes në qytetin e Lezhës dhe vazhdojnë të hetojnë rrethanat e ngjarjes, të identifikojnë dhe kapin autorin. Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani.

“Ky është një incident i rëndë. Unë jetoj në një shtëpi me prindërit e mi, gruan dhe dy vajzat. Ngjarja tronditi familjen time, veçanërisht vajzën time, e cila u zgjua duke qarë dhe duke bërtitur. Unë gjithashtu u frikësova”. Tha Elidon Ndreka në një deklaratë për Zërin e Amerikës. Duke shtuar se ai ka qenë  reporter dhe gazetar lokal për shumë vite, Ndreka sugjeroi që: “e vetmja pistë mund të jetë puna që bëj. Por nuk e di kujt t’i drejtoj gishtin. Kam besim të plotë se do të zbulohet bazuar në prova dhe nga kamerat e sigurisë pamjet e të cilave u sekuestruan nga Policia ”.

Blerjana Bino, studiuese e Safe Journalists Network në Shqipëri theksoi ashpërsinë e incidentit:

“Ky është një sulm kundër një gazetari, por edhe kundër lirisë tashmë të përkeqësuar të medias në Shqipëri. Parimisht është thelbësore për institucionet e zbatimit të ligjit për të hetuar sulmin tërësisht. Sjellja e autorëve para drejtësisë do të japë një mesazh të qartë drejt sigurimit të gazetarit dhe stafit mediatik në Shqipëri “.

Safe Journalists Networ është i tronditur nga sulmi ndaj Ndrekës dhe paralajmëron për seriozitetin e këtij incidenti që mund të ketë dëmtuar jo vetëm gazetarin, por edhe familjen e tij. Është një paralajmërim i rrezikshëm dhe bën thirrje për masa serioze që duhet të merren për të siguruar sigurinë e Ndrekës dhe familjes së tij dhe për të hetuar, identifikuar dhe sanksionuar personin që vendosi eksplozivin në shtëpinë e Ndrekës. Nëse hetimi arrin në përfundimin se autori nuk veproi i vetëm, do të ishte e domosdoshme të identifikohen dhe sanksionohen ata që kishin urdhëruar këtë sulm. Mesazhi për autoritetet shqiptare është shumë i qartë: ju duhet ta zgjidhni këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndëshkoni përgjegjësit për të.