Këshilli Shqiptar I Medias zhvillon vizitë në Këshillin për Etikë në Media në Maqedoni

Këshilli Shqiptar i Medias bëri një vizitë më 20 Prill, pranë Këshillit për Etikën në Maqedoni. Këshilli për Etikën në Maqedoni (SEMM) është krijuar vetëm pak vite para KShM-së, dhe aktualisht është një ndër lojtarët më të rëndësishëm në fushën e medias në Maqedoni. Shqipëria dhe Maqedonia kanë një problematikë të ngjashme në lidhje me kushtet e gazetarisë dhe etikës në media ndaj ky shkëmbim ishte me rëndësi për KshM-në për të njohur sfidat që e presin.

Takimi, i zhvilluar në Klubin e Gazetarëve të Maqedonisë, nxori në pah disa problematika. Për të qenë vizibël pranë publikut nevojitet që Këshilli i Medias të angazhohet edhe me probleme që nganjëherë shkojnë edhe përtej thjesht etikës. Gjendja e gazetarëve, për shembull, ndikon drejt për drejt në performancën etyre etike në punë, ndaj SEMM reagon në ngjarjet që prekin gjendjen e gazetarëve.

Gjithashtu SEMM është aktiv edhe në lidhje me situatën e gjuhës së urrejtjes, kaq e pranishme në të dyja vendet.

Një arritje pozitive e SEMM ishte dhe fakti që Këshilli është bërë referencë për avokatët të cilët i kërkojnë mendim para se të ikin në gjyq. Një fenomen që ka kërkuar ndërmjetësim është për shembull vjedhja e fotove nga palë të treta, çështje të zgjidhura me sukses nga SEMM. Anëtarët e Bordit të Etikës në SEMM këshilluan që KShM të mbështesë krijimin e organizatave umbrellë të gazetarëve për të lehtësuar anëtarësimin e mediave në KshM.

Ky takim, do të pasohet së shpejti nga vizita e anëtarëve të Bordit në SEMM në Tiranë.