Tre vjet nga vrasja e gazetares Dafne Caruana Galizia
Vrasja në Maltë e gazetares investigative, Dafne Caruana Galizia, ka qenë kryefjala e mediave të huaja që në momentin kur një atentat me bombë në makinën e saj i mori jetën, në tetor të vitit 2017. Sot është tre vjetori i vrasjes së gazetares.
Parë ky si një sulm i dhunshëm ndaj fjalës së lirë në një vend paqësor, anëtar të BE-së, vdekja e saj shkaktoi një “tërmet” politik që rrëzoi nga detyra një kryeministër dhe çoi në ndryshime të mëdha kushtetuese në ish-koloninë britanike.
Megjithatë, tre vjet më vonë, drejtësia nuk është vendosur ende për familjen e Caruana Galizia-s. Nuk ka pasur gjykime dhe as dënime. Tre të akuzuar për vendosjen e bombës që e vrau nuk do të përballen me gjykimin deri në vitin e ardhshëm.
Vrasja e Dafne-s është një sinjal i keq për tërë vendet demokratike, sepse u tregon zyrtarëve të korruptuar se po të vrasin gazetarët që i investigojnë, ata mund t’ia hedhin.
Këshilli Shqiptar i Medias në përvjetorin e vrasjes së gazetares malteze, dëshiron të shprehë mbështetjen maksimale për punën e të gjithë gazetarëve si Dafne që janë në rrezik të vazhdueshëm duke ekspozuar publikisht aferat korruptive dhe politikanët e korruptuar në Shqipëri. Presioni është i madh, propaganda është në majat e veta, ndaj shembuj si i Dafne-s tregojnë se sot gazetarët duhet të jenë më të bashkuar se kurrë.
Sot bëhen 3 vjet nga vrasja e gazetares Dafne Caruana Galizia që po investigonte afera korruptive në vendin e vet e që shkonin deri në nivelet më të larta të politikës e biznesit në Maltë, vend i Bashkimit Europian.
Seancat dëgjimore dhe intervistat e realizuara me persona të përfshirë në këtë çështje do të botohen në Projektin “Dafne”, një bashkëpunim ndërkombëtar raportimi që përfshin Guardian, Forbidden Stories, Reuters dhe Times of Malta.