Vendimi i Presidentit për të kthyer ligjin e AMA-s, gjëja e drejtë për t’u bërë!
Këshilli Shqiptar i Medias gjykon se kthimi nga Presidenti i Republikës i ligjit të AMA-s, i cili gabimisht ose qëllimisht për të keqinformuar quhet referohet si “Anti-shpifje”, është një vendim në mbrojtje të Kushtetutës dhe vlerave Europiane.
Praktikisht, me përjashtim të Partisë Socialiste dhe institucioneve që ajo zotëron, drejton apo ka shumicën absolute, si Qeveria Shqiptare, Kreu i OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë, të gjitha institucionet dhe organizatat kombëtare e ndërkombëtare janë kundër këtij ligji i cili censurën edhe atë pak liri që ka mbetur në mediat shqiptare.
Qendrimi i Presidentit të Republikës në këtë rast, përputhet me qendrimin e Këshillit të Medias, komunitetit të gazetarëve shqiptarë, shoqatave ndërkombëtare e lokale të gazetarëve, shoqatave kombëtare e ndërkombëtare të shoqërisë civile; ai madje përputhet edhe me qendrimin e vetë AMA-s dhe është në një vijë me qendrimin e Këshillit të Europës dhe të BE-së, me atë të Komisionierit të Kombeve të Bashkuara madje edhe qendrimin e zyrës së OSBE-së në Vjenë, e cila përmes z. Desir, (pas miratimit të ligjit) doli me deklaratën që nuk janë të lumtur me këtë produkt.
KSHM dhe organizatat e tjera të medias, në përfaqësim të interesave të medias së re, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojnë ta luftojnë këtë ligj censure me dy mënyra.
Së pari ne do të prezantojmë së shpejti një platformë vetërregullimi e cila do të synojë përmirësimin e etikës në mediat online. Së dyti, nëse Partia Socialiste dëshiron të vazhdojë me këtë projekt për mbylljen e gojës së mediave online, ne do të konsumojmë të tëra hapat juridikë në vend e jashtë tij.
Ky ligj është një tentativë për të kontrolluar median online kritike me qeverinë, dhe faktet kanë treguar që në Europën e sotme këto ligje nuk mund të jenë jetëgjata. Ne jemi shumë afër Europës dhe shanset për të imponuar sistemin kinez apo rus të kontrollit të medias nuk mund, nuk duhet e nuk do të tolerohen.