Shqipëria bie 7 vende në renditjen botërore të “Reporterëve Pa Kufinj”
“Kush dobëson lirinë e shtypit, dobëson edhe shtetin e shoqërinë” citon Dojçe Vele raportin e organizatës “Reporterë pa Kufinj” (RSF).
Ky raport, e ka ulur Shqipërinë me 7 vende në renditjen botërore, çka e ka bërë presidentin Meta ta quajë kambanë alarmi.
Indeksi i lirës së shtypit publikohet çdo vit nga Organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufinj, e cila përcaktoi se fyerjet, sharjet dhe procedimet ligjore ndaj gazetarëve janë shkaktarë të rënies. Kryeministri Rama mohoi akuzat për shantazhim të medias dhe këmbënguli se do të miratojë një “paketë anti-shpifje”. “Sulmet ndaj medias si nga qeveria ashtu edhe nga krimi i organizuar mbërritën në një nivel të paprecedent gjatë vitit 2018,” shkruhet në raportin e RSF, cituar dhe nga reporter.al.
Këshilli Shqiptar i Medias gjykon që fryma që KM Rama i ka dhënë qeverisjes së tij dhe përcillet në krejt shoqërinë shqiptare është dhunuese ndaj medias e punës së gazetarëve. Problem tjetër i vetë-censurës janë edhe marrëdhëniet okulte të pronarëve të medias me pushtetin dhe pasiguria në punë e gazetarëve, të pambrojtur me kontrata siç duhet.
Ky raport është një kambanë Alarmi, por, kambanat bien për ata që kanë veshë.