Tentativa për të nxjerrë burimet nga gazetari Qyno, e papranueshme për profesionin, e rrezikshme për lirinë e medias dhe kundër çdo praktike europiane
KSHM po ndjek me shqetësim raportimet se gazetarit të Ora News, Elton Qyno, i është kontrolluar shtëpia dhe është thirrur në SPAK ku për disa orë rresht i është kërkuar të dorëzojë burimin e informacionit që ka publikuar.
Kjo lloj praktike shkel lirinë e medias; krijon atmosferë terrori precedent të rrezikshëm ku burimet do të kenë frikë të denoncojnë apo të informojnë, sepse identiteti i tyre mund të kompromentohet.
Veprimi ndaj gazetarit Qyno shkon kundër çdo standarti të medies së lirë, të drejtave kushtetuese dhe kundër çdo praktike perëndimore ku mbrojtja e burimeve është një nga parimet bazë të punës së gazetarit.
KSHM i bën thirrje SPAK të ndërpresë këtë lloj qasjeje kufizuese e censuruese ndaj lirisë së medias, si dhe të respektojë integritetin dhe parimin e mbrojtjes së burimeve nga ana e gazetarëve.