Deklaratë e KSHM për keqcitimin dhe moderimin e komenteve në lidhje me debatin e fundit që përfshin komunitetin LGBTI
KSHM ka ndjekur me shumë shqetësim përshkallëzimin e debatit mbi terminologjinë emërtuese të prindërimit në dokumente zyrtarë.
KSHM vëren që shumë portale, kanë nxituar për të pasqyruar debatin e zhvilluar në 2 televizione, ABC dhe TCH, duke keqcituar përfaqësuesen e komunitetit LGBTI, Xheni Karaj. Ndërsa komuniteti LGBTI kërkon që krahas termave “nënë” e “baba” të shtohen edhe termat “prind 1” dhe “prind 2” çka do të mundësojë që fëmijët e tyre të mund të regjistrohen zyrtarisht, shumë portale e kanë pasqyruar debatin sikur komuniteti LGBT kërkon “heqjen” e fjalëve nënë e baba deri dhe nga fjalori.
KSHM u kërkon portaleve të korigjojnë keq-citimin, për të shmangur nxitjen e gjuhës së mëtejshme të urrejtjes që ka pasuar këtë debat.
KSHM mbështet aktivisten Xheni Karaj dhe lirinë e shprehjes, duke dënuar ashpër çdo lloj mesazhi të dhunshëm e diskriminues ndaj saj, dërguar në mënyrë private ose dhe publike në rrjetet sociale.
KSHM mbështet lirinë e çdo individi për të shprehur lirisht mendimet e veta pro dhe kundër temës në fjalë, por dënon kategorikisht çdo deklaratë apo prononcim që e kthen debatin në agresion, dhunë e diskriminim.
KSHM, këshillon televizionet TCH dhe ABC por dhe portaleve që e kanë pasqyruar ngjarjen, që të moderojnë komentet në youtube apo në rrjetet e tyre sociale, dhe të bllokojnë çdo lloj komenti të dhunshëm ndaj komunitetit LGBT, përfaqësuesve të tyre apo kujtodo që atakohetnë mënyrë agresive vetëm se shpreh një mendim ndryshe.