Aleanca për Media Etike mbidhet për herë të dytë për përcaktimin e një mekanizmi vetërregullues

Tiranë më, 30 Shtator 2020


16 media anëtare të Aleancës për Media Etike u mblodhën ditën e sotme për të finalizuar procesin e vetërregullimit dhe përzgjedhjen e  grupit të Bordit të Etikës.

Gjatë këtij takimi u përzgjodh“Bordi i Etikës”, në përbërje të të cilit do të jenë personalitet  në fushën e gazetarisë, jurispudencës dhe shoqërisë civile të njohur për integritet profesional me propozim të anëtarëve të Aleancës, Këshillit Shqiptartë Medias si dhe Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Pesë anëtarët e propozuar janë: Dorian Matlija, avokat, Mark Marku, pedagog nga Departamenti i Gazetarisë dhe ekspert i etikës, Klodiana Kapo nga Faktoje.al, Alice Taylor nga Exit.al si dhe Lorin Kadiu nga Citizens-Channel.

Bordi, i votuar pa kundërshtime nga anëtarët e Aleancës, do të shqyrtojë ankesat e qytetarëve për mediat e Alencës dhe rekomandimet e veta do ia përcjellë medias përkatëse.

Çdo qytetar do të mund të ankohet për etikën e shkrimeve në mediat e Aleancës. Në takim u prezantua edhe logo “e cilësisë”, që do të simbolizojë angazhimin e anëtarëve të Aleancës për raportim cilësor, bazuar në kodin e etikës së gazetarit. Logoja do të jetë e klikueshme dhe do të vendoset në faqet e mediave anëtarëve të Aleancës, ku publiku do të mund të regjistrojë ankesa që lidhen me shkeljet e etikës ose dëmtimit për shkak të raportimit abuziv.

“Ne duhet t’i tregojmë publikut që kur sheh logon e aleancës e kupton që kjo media ka përgjegjshmëri etike, nuk është media pirate dhe është e hapur të presë ankesat e tyre.” – u shpreh Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias.

Ylli Rakipi  përfaqësues i Tpz.al sugjeroi se kjo nismë është shumë e mirë, por nuk konsiderohet si nismë e çuar deri në fund nëse nuk kthehet në kuadër ligjor. Sipas Rakipit “parlamenti shqiptar ose bashkësia ndërkombëtare duhet të detyrojnë autoritetet shqiptare që kjo të kthehet në ligj. Po nuk mori një fuqi ligjore kjo mbledhje nuk shon deri  në fund si nismë.” Gjykata shqiptare nuk e merr parasysh kodin e etikës së gazetarit në proceset gjyqësore që hapen ndaj gazetarëve.

Mark Marku  përfaqësues i Departamentit të Gazetarisë u shpreh se ky takim duhet të të shfrytëzohet si një mundësi, si një fazë e përafrimit të legjislacionit të medias, me legjislacionin europian.

“Kjo është një fazë parapregatitore që rrit fuqinë. Mendoj që  në një fazë më të largët mediat do të jenë të interesuara që të kenë një vulë etike, duan  garanci. Pra, vula etike do të shërbejë si një markë për mediat, portalet për të dalluar nga prodhuesit që nuk japin garanci për cilësinë e informacionit. Mendoj se do të funksionojë si organizim.”, u shpreh Mark Marku.

Sami Neza, drejtues i Dron.al, kërkoi që Aleanca të gjejë një zgjidhje për armatën e “trolls” dhe “boots” të cilët të paguar nga institucione të caktuara arrijnë të eleminojnë shkrime investigative nga FB ose mediat e tjera sociale. Valmora Gogo, përfaqësuese e Hashtag.al dhe Gogo.al kërkoi që Këshilli i Medias të monitorojë mediat e Aleancës e të bëjë publike kush janë shkelësit më të mëdhenj të etikës.  Alfred Lela, drejtues i Politiko.al kërkoi që Aleanca të ketë mbështetje maksimale nga institucionet Europiane.

Këshilli Shqiptar i Medias, njëkohësisht mbështetësi logjistik i Aleancës, ka në strategjinë e vet të gjejë zgjidhje për të gjitha këto probleme, një ndër të cilat është dhe shkelja e kopirajtit, që dëmton shumë punën e gazetarëve që lodhen për të krijuar përmbajtje cilësore.

Aktiviteti u organizua me mbështetjen  e  projektit  “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Evropën Jug-Lindore (JUFREX)” të zbatuar në kuadër të Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”.

Mediat anëtare të AME-s të bashkuara me iniciativën e KëshillitShqiptartë Medias janë:

 

  1. 27.al
  2. Citizens-Channel.com
  3. Dita.al
  4. Droni.al
  5. Dosja.al
  6. Exit.al
  7. Faktoje.com
  8. Gazeta-Shqip.com
  9. Hashtag.al
  10. Gogo.al
  11. Lapsi.al
  12. Mapo.al
  13. NOA.al
  14. Opinion.al
  15. ORA News
  16. ORA TV
  17. Politiko.al
  18. Shqiptarja.com
  19. Syri.net
  20. Report Tv
  21.  Gazeta Fjala
  22. TvT
  23. Tpz.al