Deklaratë e përbashkët: Dënojmë shembjen e Teatrit, dhunën policore ndaj aktivistëve, qytetarëve dhe gazetarëve.

Dënojmë shembjen e Teatrit, dhunën policore ndaj aktivistëve, qytetarëve dhe gazetarëve.


Teatri është të gjithë ne, ne jemi teatri!


Me pamje të trishta si ato të prishjes së Teatrit Kombëtar, simbol jo vetëm i identitetit të përbashkët kulturor dhe historisë së vendit, por edhe i rezistencës demokratike në vend dhe aktivizmit qytetar, shprehim keqardhjen dhe shqetësimin tonë për situatën në të cilën ndodhet sot vendi.

Ne, organizatat e poshtë shënuara, e gjejmë veten në një pozicion të vështirë dhe të kërcënuar nga dhuna dhe represioni i vazhdueshëm shtetëror. Ky represion ditët e fundit është manifestuar me gjobitjen dhe arrestimin e gazetarëve, kërcënimet ndaj medias së lirë, shtypjen e çdo forme të rezistencës qytetare, pa marrë asnjëherë në konsideratë dialogun. Masa anti-demokratike vazhdojnë të ndërmerren nga qeveria dhe institucionet publike, në një vend pa opozitë reale dhe pa sistem gjyqësor funksional dhe pa Gjykatë Kushtetuese.

Prej vitesh tashmë kemi sinjalizuar raste flagrante dhe të paprecedenta të shkeljes së të drejtave të njeriut si dhe iniciativa e paketa ligjore anti-demokratike, për të cilat asnjëherë shoqëria e vërtetë civile dhe qytetarët nuk janë ftuar në tryeza konsultimi.

Demokracia dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut kurrë nuk kanë qenë më në rrezik se sot, e bashkë me to roli ynë si shoqëri civile dhe ekzistenca jonë në vitet në vijim.

Duke ju frikësuar skenarëve të paralajmëruar shpesh-herë dhe përshkallëzimit të mëtejshëm të tendencave autoritare në Shqipëri, u bëjmë thirrje institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, organizatave partnere, përfaqësive diplomatike të huaja në Shqipëri dhe organizimeve civile e qytetare, të rikthejnë vëmendjen te vlerat e humbura demokratike të Shqipërisë, e të ndërgjegjësohen duke reaguar për shkeljet flagrante të tyre.

Sot Teatri nuk ekziston më si godinë, por ekziston ende si frymë, e këtë frymë duhet ta mbajmë gjallë me çdo kusht përtej çdo kaste autoritare qeverisëse.

Shkatërrimi nuk është rreziku më i madh në këto momente, por shtypja e mendimit të lirë dhe rezistencës civile, që po vendos një precedent të rrezikshëm në vendin tonë.

Teatri është të gjithë ne, ne jemi teatri!

Organizatat firmëtare (rend alfabetik):

Albanian Disability Rights Foundation
Aleanca LGBT
Citizens Channel
Civil Rights Defenders
Eko Albania
Exit News
Grupi ATA
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim
Këshilli Shqiptar i Medias
Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome
Open Mind Spectrum Albania (OMSA)
Pro-LGBT
Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare
Qendra Treja
ResPublica
Tirana Legal Aid Society - TLAS