Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic paralajmëron qeveritë përmes një deklarate që të mos kufizojnë lirinë e shtypit në lidhje me pandeminë COVID-19.

Deklaratë e komisioneres së KE-së për të drejtat e njeriut mbi kufizimin e lirisë së mediave lidhur me COVID-19
“Problemet globale shëndetësore të shkaktuara nga COVID-19 kërkojnë masa efektive për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e njerëzve. Kjo përfshin luftimin e dezinformatave që mund të shkaktojnë panik dhe trazira sociale. Për fat të keq disa qeveri po e përdorin këtë imperativ si pretekst për të vendosur kufizime joproporcionale për lirinë e shtypit; kjo është një qasje kundërproduktive që duhet të ndalet. Veçanërisht në kohë krize, ne duhet të mbrojmë liritë dhe të drejtat tona të çmuara, “tha Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović.
Mijatovic denoncoi një numër qeverish që kanë cënuar lirinë shtypit dhe u bëri thirrje atyre për t’i shfuqizuar menjëherë kufizimet që shkelin të drejtat e gazetarëve dhe i pengojnë në punën e tyre.
(Deklaratën e plotë mund ta lexoni këtu)
Gjithashtu edhe Shqipëria po përballet me probleme lidhur me ushtrimin e profesionit të gazetarëve gjatë pandemisë COVID-19, ku një grup gazetarësh dhe organizatash të të drejtave të të njeriut akuzojnë qeverinë shqiptare për monopolizimin e informacionit mbi epideminë .
Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh me zë dhe tekst në telefonat celular të qytetarëve, duke u thënë atyre: “mbroni veten nga media”. Kjo masë është parë si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj mediave dhe gazetarëve.
Dy javë më parë, Rama ndau një video të policisë algjeriane duke rrahur njerëzit në rrugë. Ai pretendoi se ishin autoritetet spanjolle që po përpiqeshin t’i mbanin njerëzit jashtë rrugëve gjatë Coronavirus duke kërcënuar se do të urdhërojë policinë dhe ushtrinë shqiptare të veprojnë në një mënyrë të ngjashme.