Paketa Anti-shpifje e lidhur ngushtë me shkeljen e të Drejtës për Informim

Qendra Respublica prezantoi sot hulumtimin mbi të drejtën e informimit dhe zbatimin e saj.

Dr. Ekz. i Qendrës Respublica, Dorian Matlija, konkludoi që Komisionieri për të Drejtën e Informimit nuk po e bën punën e vet, sepse në shumicën e rasteve ai nuk kthen përgjigje ankesave të gazetarëve të cilëve u refuzohet informacioni nga institucionet.

Znj. Klodiana Kapo, Drsh. Ekz. E Qendrës “Faktoje” rrëfeu që gjatë vitit të kaluar kanë bërë 250 kërkesa nga të cilat 60 nuk kanë kthyer përgjigje. “Faktoje” ka kërkuar faturat e shpenzimeve të ministrive, por vetëm 2 ua kanë dhënë të plota. 6 ministri të tjera nuk u kanë kthyer përgjigje.

Përmes Respublica-s “Faktoje” do të dërgojë në gjykatë 12 nga këto çështje.

Gazetari Artan Rama, tha që ka një lidhje mes paketës anti-shpifje dhe të drejtës për informim. Sipas Ramës, sjellja e Komisionierit, mospërgjigja e tij dhe mosfunksionimi i ligjit, ka efekt negativ. “Nëse media nuk e merr informacionin në kohën kur e kërkon mund të bëjë që gazetari të gabojë.Nëqoftëse marrja e dokumentit vonon do të thotë që gazetari të akuzohet për shpifje e mos të ketë mundësi të paraqesë në kohë dokumentin mbi të cilin ka ndërtuar artikullin. Pra, qendrimi i Komisionierit ushqen paketën anti-shpifje.”

Ky hulumtim do të publikohet shumë shpejt në Publeaks.al.