5 shoqata të medias dhe për të drejtat e njeriut i kërkojnë qeverisë të tërheqë ligjet për mediat online

Organizatat shqiptare për të drejtave të njeriut i kërkojnë qeverisë të tërheqëligjet për mediat online

 

Tiranë më 27 dhjetor 2018

Organizatat nënshkruese të kësaj letre publike shprehin shqetësimin për kërcënimin ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes nga ana e dy projektligjeve të propozuara nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama dhe i bëjnë thirrje qeverisë t’i tërheqë këto projektligje menjëherë.

Projektligjet janë prezantuar për konsultim publik pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj.

Projektligjet, të cilat synojnë të krijojnë një regjim licencimi, kontrolli, gjobitjeje dhe mbylljeje të faqeve të internetit, i japin hapësira të gjera autoriteteve të kërcënojnë me gjoba disproporcionale dhe me mbyllje mediat në internet.

Organizatat besojnë se të dyja projektligjet në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet.

Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e “lajmeve” false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë.

Nga ana tjetër, partitizmi i tejskajshëm i institucioneve që konvencionalisht janë dhe duhet të jenë të pavarura nga pushteti politik, nuk përbën aspak garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe profesionale të medias online, siç parashikohet nga projektligjet.

Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri sakaq është e keqe dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Treguesi i lirisë së medias sipas vlerësimit të Freedom House është përkeqësuar nga 3.75 pikë në vitin 2009 në 4.25 pikë më 2016 dhe aktualisht gjendet shumë pranë nivelit të lirisë së medias në vendet me regjime totalitare siç janë ato të vendeve ish-sovjetike.

Shkaku i përkeqësimit tësituatës së medias nuk është tepria e lirisë por mungesa e saj.

Organizatat rikujtojnë se dy projektligjet aktuale janë tentativa e katërt në më pak se katër vjet që synon të krijojë një regjim kontrolli qeveritar mbi mediat online.

Media nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kriteri licencimi apo mbikëqyrjeje të ndryshme nga të gjitha llojet e bizneseve të tjera.

Për sa më sipër, organizatat e mëposhtme i kërkojnë kryeministrit Edi Rama tërheqjen e menjëhershme të projektligjeve ” DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR” dhe “DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9918, DATË 19.5.2008 “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR”.

 

Lista e organizatave:

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

AIS/Open Data Albania

BIRN Albania

Këshilli Shqiptar i Mediave