Prezantohet Kodi i ri i Etikës
Më 29 Mars 2018, u zhvillua prezantimi i Kodit të ri të Etikës, një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e gazetarëve e që u ndoq nga gazetarë, publicistë dhe përfaqësues të tjerë të medias e të shoqatave të medias.
Këshilli Shqiptar i Medias si pjesë e grupit të punës në përpilimin e kodit të ri të etikës së gazetarit mori pjesë në këtë takim me përfaqësues Drejtorin ekzekutiv z.Koloreto Cukali në eventin e organizuar me këtë rast në Librarinë Tirana Times.
Kodi i Etikës së Gazetarit (2018), që u hartua si pjesë një projekti të përbashkët të Këshillit Shqiptar të Medias dhe Institutit të Medias në kuadër të programit JUREX fianncuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës synon të sjellë një version të përditësuar të kodit që reflekton ritmet kolosale të zhvillimit të medias.
Olsi Dekovi, nëndrejtor i Këshillit të Europës për Shqipërinë tha se “Liria e shprehjes pa cënuar privatësinë jane dy elementet thelbësorë të etikes”.
Risia e kodit të ri qëndron në përfshirjen në normën rregulluese të medias on line si një medium që ka shpërthyer në mënyrë të vrullshme por që edhe ka shumë nevojë për orientim pasi bashkë me zhvillimin ka sjellë edhe kaos.
- Koloreto Cukali tha në fjalën e tij se në Shqipëri “kaosi ekziston dhe të drejtat e publikut shkelen lehtësisht. Këshilli Shqiptar i Medias si mbikqyrës i zbatimit të Etikës është e vetmja rrugë drejt vetëregullimit”.
Shqipëria e cila është fundit në rajon që ka ngritur një Këshill të Medias ndodhet në një situatë ku lulëzimi i medias online është shoqëruar edhe me shkelje të etikës. Sipas Cukalit nga monitorimet e kryera nga Këshilli në muajin e fundit në vetëm 10 media rezultojnë mbi 70 shkelje të etikës.
Cukali vijoi duke thënë se sa më shumë i afrohemi Europës aq më shumë rruga ngushtohet dhe do të kërkohet që ky kaos të zgjidhet. “Rruga është e gjatë dhe ka vështirësi duke nisur që nga pronarët që nuk janë të interesuar që të ndjekin rrugën e etikës dhe duke vazhduar me gazetarët të cilët nuk kanë kohë dhe janë të keqpaguar për të vazhduar me publikun që është kthyer në apatik”.
Versioni i fundit i Kodit daton në vitin 2006, por nuk zbatohet. Shkeljet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve janë kthyer në standard, ndërsa vëmendja editoriale ndaj këtyre shkeljeve është dobësuar.
Por sipas Mark Markut, një nga ekspertët që kanë hartuar kodin e ri të gazetarit, një herësh edhe anëtarë i Bordit të Etikës, pranë Këshillit Shqitpar të Medias “Etika është një normë dhe zbatimi i saj është një process që kërkon kohën e vet. Sipas Markut nuk kemi pse shqetësohemi pse nuk merret si ligj se në atë rast regullimi do ti zinte vendin vetëregullimit ndërsa janë dy gjëra të ndryshme”.
Duke cituar Aidan White, Z.Remzi Lani, udheheqës i grupit të punës për hartimin e kodit tha se “ gazetari nuk ka liri fjale por fjalë të përmbajtur. Gazetari është gazetar sepse zbaton etikën” shtoi ai.
Ndërsa gazetari e anëtari i Këshillit Blendi Salaj tha se “ këto udhezime për gazetarinë etike nuk janë kufizim por mënyrë për ta bërë si duhet gazetarinë on line”.
Këshilli Shqiptar i Medias, synon të forcojë dhe të sigurojë Zbatimin e Kodit të Etikës, si mënyra më e mirë për të nxitur vetë-rregullimin dhe përmirësuar cilësinë e medias në Shqipëri.
Këshilli është themeluar dy vjet më parë por ka nisur aktivitetin në shtator me shqyrtimin e anankesave tankesave dhe monitorimin e shkelejve të etikën në disa media e portaleve shqiptare.