Si të postoj një ankesë?

Hapi 1: Informo median së cilës i drejtohet ankesa

Kontakti i parë për zgjidhjen e ankesës duhet bërë me median e cila ka bërë shkeljen e prezumuar të Kodit të Etikës. Në media punojnë redaktorë e gazetarë të përgjegjshëm, të cilët kanë dëshirën të përmirësojnë punën e tyre dhe është e mundshme që ata t’ju dëgjojnë e të përpiqen të rregullojnë dëmin.
Ndaj dhe KSHM merr në konsideratë një ankesë vetëm në rastin kur media të cilës i drejtohet e ka pasur mundësinë për ta zgjidhur por, hapat që janë ndërmarrë prej saj kanë dështuar në zgjidhjen e çështjes.

Hapi 2: Plotëso formularin e ankesës

Nëse çështja juaj nuk zgjidhet nga organizata e medias, dhe jeni akoma të shqetësuar, ju mund të bëni një ankesë pranë KshM-së. Kini parasysh se ne nuk pranojmë ankimime anonime, ose çështje që kanë kaluar ose janë në proces gjyqësor. Ne rezervojmë të drejtën për të publikuar të tëra vendimet mbi ankimimet, bashkë me emrat e individëve që i kanë paraqitur.

  • Pasi ne marrim një ankesë, Bordi i Etikës do të shqyrtojë ankesën dhe përgjigjen e medias përkatëse.
  • Bordi do ta shqyrtojë ankesën në mbledhjen e tij më të afërt (jo më vonë se 1 muaj pas ankimimit) dhe mund të vendosë ta pranojë, refuzojë ose ta refuzojë me rezerva ankesën.
  • Pas një shqyrtimi të përimët bazuar në Kodin Shqiptar të Medias, Bordi i Etikës do të nxjerrë një rekomandim.
  • Në rastin e një ankese të vlefshme media përkatëse do të njoftohet dhe procesi i ndërmjetësimit do të nisë menjëherë.
  • Në rastet kur mediet janë anëtarë të këshillit zgjidhja do të jetë e shpejtë. Në rast kur mediet nuk janë anëtarë të Këshillit, Këshilli do ta ndërmjetësojë përsëri ankesën duke shpresuar në një përgjigje pozitive nga media përkatëse.
  • Në rast se ndërmjetësimi nuk e zgjidh ankesën, një rekomandim bazuar mbi shqyrtimin e çështjes do t’i dërgohet Këshillit për ta konsideruar për në raportin vjetor mbi sjelljen e medias.
  • Në raste të caktuara, Bordi mund të vendosë të thërrasë palët në një dëgjesë.